Maqedoni

Janevska prezantoi rezultatet dyvjeçare, reforma dhe investime në arsim

24.06.2026 13:37

Janevska nënvizoi reformat për përmirësimin e cilësisë së arsimit dhe kushteve për nxënësit, studentët, mësimdhënësit dhe komunitetin shkencor....

“Arsimi dhe shkenca përbëjnë shtyllat kryesore të zhvillimit të vendit, ndaj mbetemi të përkushtuar ndaj reformave që synojnë më shumë mundësi për të rinjtë dhe një shtet më konkurrues.”, tha ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska, në prezantimin e raportit të punës për dy vitet e fundit. Ajo nënvizoi reformat për përmirësimin e cilësisë së arsimit dhe kushteve për nxënësit, studentët, mësimdhënësit dhe komunitetin shkencor. Sipas saj, MASh-i ka mbuluar shpenzimet për pjesëmarrjen e nxënësve të talentuar në olimpiada ndërkombëtare, ka forcuar arsimin profesional dhe dual me rreth 1.000 kompani dhe shtatë qendra rajonale, ndërsa numri i bursave është rritur në 1.570.
 
“Edhe në arsimin fillor edhe në atë të mesëm kemi vendosur këshillim për karrierë, përkatësisht orientim të nxënësve, që ua lehtëson zgjedhjen e rrugës së tyre të mëtejshme të zhvillimit personal. Këto janë disa nga qëllimet e Agjendës Reformuese që i kemi realizuar me sukses, për të cilat ministria duhet të përfitojë mjete nga BE-ja në vlerë mbi 19 milionë euro.”, - deklaroi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska.
 
Janevska theksoi se është krijuar një sistem i qëndrueshëm për furnizimin dhe shpërndarjen në kohë të teksteve shkollore, i cili garanton që çdo 1 shtator nxënësit të pajisen me librat e nevojshëm, përfshirë edhe tekstet e gjuhëve të huaja që kanë munguar për vite me radhë.
 
“Për të tretin vit me radhë, të gjithë nxënësit më 1 shtator do t’i kenë tekstet shkollore, përfshirë edhe tekstet e gjuhëve të huaja që kanë munguar prej vitesh. Ende janë të freskëta kujtimet kur, disa vite më parë, fëmijët detyroheshin të kopjonin skripta, për të cilat paralajmëroheshin se do të kishte dënime për ta dhe për prindërit e tyre.”, - theksoi ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Vesna Janevska.
 
Janevska tha se është rritur mbështetja për nxënësit me nevoja të veçanta, me angazhimin e 1.350 asistentëve arsimorë në arsimin fillor dhe për herë të parë 150 në arsimin e mesëm, si dhe është mundësuar mësimi hibrid për nxënësit që trajtohen për periudha të gjata në spital ose në shtëpi. Në infrastrukturën arsimore janë investuar rreth 70 milionë euro në mbi 90 projekte, duke përfshirë ndërtimin dhe rikonstruksionin e shkollave, sallave sportive dhe rinovimin e konvikteve studentore “Stiv Naumov” dhe “Kuzman Josifovski Pitu”.
 
REXHEP QAMILI