Senati votoi ndalimin e luftës me Iranin, Trampi e vlerësoi vendimin si të pakuptimtë
24.06.2026 15:10
Senati i ShBA-së ka votuar një projektligji që kërkon ndalimin e luftës me Iranin...

Senati i Shteteve të Bashkuara ka votuar me një shumicë të ngushtë për kalimin e një projektligji që kërkon ndalimin e luftës me Iranin dhe detyron presidentin amerikan, Donald Tramp, ta kërkojë lejen e Kongresit për ta rifilluar luftën. Trampi e kritikoi ligjin si “të pakuptimtë”.
“Këta senatorë sapo ma kanë bërë punën më të vështirë, por unë do ta kryej atë, në një mënyrë ose në një tjetër, sepse unë gjithmonë e kryej punën!”, ka shkruar Trampi në platformën e tij sociale, Truth Social.
Uashington, vazhdojnë bisedimet Liban - Izrael
Ndërkohë ShBA-ja dhe Irani vazhdojnë të hasin në mosmarrëveshje rreth inspektimeve bërthamore. Presidenti Tramp përsërit se Irani është pajtuar me mbikëqyrje të shtuar, por Teherani e mohon.
“Ata e dinë se gabojnë. Ne kemi inspektime 100 për qind. Po të kishin të drejtë, do t’i ndërprisnim menjëherë bisedimet. Inspektorët do të jenë në terren në kohën e duhur.”, - deklaroi presidenti i ShBA-së, Donald Tramp.
Por, Irani dhe Pakistani kanë bërë të ditur se programi raketor iranian nuk është pjesë e asnjë marrëveshjeje me ShBA-në. Nga ana tjetër në Uashington po zhvillohen bisedime mes delegacioneve izraelite dhe libaneze. ShBA-ja këmbëngul se procesi për Libanin dhe negociatat lidhur me Iranin janë plotësisht të ndara, pavarësisht përpjekjeve të Teheranit për t’i lidhur këto çështje.
“Ky proces është i ndarë. Është i ndarë, sepse Libani është një shtet sovran. Ne do të bisedojmë dhe do të bashkëpunojmë drejtpërdrejt me qeverinë libaneze.”, - theksoi sekretari i shtetit i ShBA-së, Marko Rubio.
Ndërkohë, Izraeli po shqyrton një tërheqje të pjesshme nga Libani jugor. Ndërsa OKB-ja ka njoftuar evakuimin e mbi 11 mijë marinarëve nga Ngushtica e Hormuzit.
GYLTENE SINANI
