VLEN-i prezanton të arriturat gjatë 24 muajve
24.06.2026 17:04
Pas dy vitesh qeverisje, VLEN-i informon për të arriturat e tyre....

Pas dy vitesh qeverisje, VLEN-i informon për të arriturat e tyre. Mustafa Dauti nga kjo parti thekson se gjatë 24 muajve ka siguruar 100 milionë euro dhe përmbi 1.200 projekte në komuna. Sipas tij, gjatë kësaj periudhe është zhbllokuar dhe ka hyrë në fazën e realizimit autostrada Shkup-Bllacë, kanë nisur punimet në terren për Korridorin 8, janë krijuar mundësi të reja për punësimin e të rinjve dhe është zgjidhur statusi i medresantëve. Ai veçoi gjithashtu zyrtarizimin e tre fakulteteve, investimet në kampusin e Universitetit Nënë Tereza, si dhe nënshkrimin e marrëveshjeve kolektive me universitetet e tjera.
“Për 24 muaj përfaqësimi i drejtë dhe adekuat më në fund po bëhet ligj, që d.m.th. se po e avancojmë Marrëveshjen e Ohrit. Për 24 muaj përmes planit operativ për punësim një aset i çmuar i qeverisjes së VLEN-it, po hapim mundësi për punësim, vetëpunësim dhe mbështetje të të rinjve që të ndalim hovin e shpërnguljeve. Për 24 muaj autostrada Shkup-Bllacë nga gjendja në vendnumëro po hyn në fazën e realizimit dhe zhbllokimit. Për 24 muaj korridori i 8 nuk përdoret për propagandë, por sot punohet në terren, hapen rrugë, lidhen komunat dhe krijohet zhvillim. Për 24 muaj decentralizimin e kemi kthyer në politikë konkrete me mjete dhe hisen tonë të merituar.”, - deklaroi Mustafa Dauti nga VLEN.
Nga VLEN-i theksojnë se BDI-ja për 24 vite në pushtet nuk i realizoi premtimet e dhëna.
“Për 24 vite shqiptarët nuk e panë asnjëherë të materializohet decentralizimi, mjaftohen të shikohen komunat ku këta patriotë qeverisën dhe gjithçka bëhet e qartë. Për 24 vite parimin kushtetues që buron nga Marrëveshja e Ohrit, përfaqësimin e drejtë dhe adekuat nuk e bënë asnjëherë ligj. Për 24 vite dëgjuam shumë fjalë e pamë shumë pak punë për rrugën Shkup-Bllacë. E premtuan në vitin 2008, 2011, 2014, 2017, 2020 po edhe në vitin 2023, rezultati ishte i njëjtë, zvarritje punë gjysmake dhe propagandë. Kjo është dosja politike e një pushteti që për 24 vite foli në emër të shqiptarëve, por punoi për vete.”, - theksoi Mustafa Dauti nga VLEN.
Sipas Dautit, për 24 muaj prej kur VLEN-i morri besimin e shqiptarëve për t’i përfaqësuar, kanë hapur procese që BDI-ja nuk i hapi për dy dekada.
VLORA LATIFI TOPOJANI
