Publikimi i notës diplomatike për familjen e Mickoskit, Mucunski: Pres hetim
24.06.2026 15:10
Mucunski kërkoi sqarime dhe hetim nga Bullgaria për publikimin e të dhënave personale të familjes së kryeministrit Mickoski....

Ministri i Jashtëm, Timço Mucunski, ka kërkuar sqarim nga përfaqësia e ambasadës bullgare lidhur me publikimin e notës diplomatike për qëndrimin disaditor në Bullgari të bashkëshortes së kryeministrit dhe djalit të tyre të mitur. Siç thotë ai, ka pritur qasje proaktive nga Bullgaria, ashtu siç vepruan autoritetet tona ditë më parë kur para ambasadës së Bullgarisë dy vetura u përfshinë nga zjarri. Mucunski kërkon sqarim dhe hetim për rastin në fjalë.
“Nëse do të kishte ndodhur diçka e tillë, hapi i parë që do ta kisha bërë është që unë t’i kërkoj falje atij shteti, sepse duket se nuk ka pasur nivel të lartë të mjaftueshëm të kapaciteteve të sigurisë në suaza të institucionit. E dyta, për mua shqetësuese është që dalin të dhëna personale të lidhura me bashkëshorten e kryetarit të Qeverisë, por edhe të fëmijës së mitur. Kërkuam informacione, kemi biseduar, siç tha edhe kryeministri i Qeverisë me partnerët tanë strategjikë për këtë çështje, sepse ne jemi thellësisht të shqetësuar nga joserioziteti që solli në këtë situatë. Ne kërkuam takim, u thirr përfaqësues i Ambasadës së Bullgarisë në hapësirat e MPJ-së dhe presim jo vetëm sqarim, por edhe hetim se si është arritur deri në këtë situatë.”, - deklaroi ministri i Jashtëm, Timço Mucunski.
VMRO: Dënojmë rastin, presim reagim edhe nga LSDM-ja
Edhe VMRO-DPMNE-ja dënon rastin. Fton edhe LSDM-në që të mos heshtë dhe ta kërkojë llogari nga fqinji lindor.
“I dërguari special bullgar, Filipçe, në vend të heshtjes, duhet ta dënojë precedentin në diplomaci, pasi përmes partnerëve të tij nga Bullgaria u publikua një notë diplomatike me të cilën u cenua siguria e kryeministrit Mickoski. Partnerët politikë të Filipçes, autoritetet bullgare të udhëhequra nga Rumen Radevi, të cilët e mohojnë identitetin, gjuhën, kulturën dhe historinë maqedonase, krijuan një precedent diplomatik duke publikuar një notë diplomatike, me të cilën cenohen drejtpërdrejt siguria e familjes së kryeministrit Mickoski.”, - theksoi Brane Petrushevski nga VMRO-DPMNE.
LSDM: Antikorrupsioni të ndjekë skandalin me Janushevin
Ndërkohë LSDM kërkon nga antikorruspioni që të ndjekë rastin me Igor Janushevin, siç thonë, rast që lidhet me një kompani të regjistruar në Bullgari dhe si e tillë nuk është deklaruar në fletët e tij anketuese të dorëzuara në Komisionin Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit.
“Komisioni Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit nuk guxon të jetë një vëzhgues i heshtur i skandaleve të pushtetit. Komisioni për Antikorrupsion duhet menjëherë të hapë një rast, t’i verifikojë të gjitha faktet, t’i kërkojë të gjitha dokumentet dhe pa vonesë ta informojë opinionin publik. A i ka deklaruar Igor Janushevi të gjitha ato që ka qenë i detyruar t’i deklarojë sipas ligjit, apo ka fshehur diçka? Ligji parashikon edhe dënime ligjore nëse vërtetohet se ai ka fshehur pjesëmarrjen në një kompani dhe në atë rast do të duhet të japë llogari. Meqenëse Janushevi nuk është paraqitur tash e dy ditë, institucionet janë të detyruara të japin përgjigje.”, - u shpreh Bogdanka Kuzeska nga LSDM.
Sipas LSDM-së, ky skandal zbulon hipokrizinë e Mickoskit dhe të VMRO-së, si dhe të gjithë narrativën e tyre të rreme. Ata zhvillojnë interesa biznesore në Bullgari, nuk presin me orë të tëra në kufi si qytetarët, ndërsa në të njëjtën kohë bllokojnë integrimin evropian të Maqedonisë dhe bllokojnë fondet e Bashkimit Evropian, përfundojnë nga partia e socialdemokratëve.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
