Maqedoni
Filipçe: A ekziston rrezik për shtyllën e dytë të fondit!?
24.06.2026 15:36
Filipçe shprehu shqetësim për deklaratat e kryeministrit lidhur me shtyllën e dytë pensionale....

Kryetari i opozitës maqedonase, Venko Filipçe, shprehu shqetësim për deklaratat e kryeministrit lidhur me shtyllën e dytë pensionale, duke thënë se ato kanë krijuar pasiguri te qytetarët që kursejnë për pensionin e tyre. Ai kërkoi sqarime se çfarë nënkuptojnë këto qëndrime dhe nëse ekziston rrezik për fondet e grumbulluara nga qytetarët në shtyllën e dytë pensionale.
“Mickoski në vitin 2024 tha se sistemi pensional është stabil dhe se mungesa në Fondin e Sigurimit Pensional do të ekzistojë derisa shtylla e dytë të fillojë të paguajë pensione në masë më të madhe, ndërsa tani thotë se nuk e di se çfarë do të sjellin rezultatet e pagesave në shtyllën e dytë pensionale. Qytetarët që kontribuojnë aty janë në pasiguri të madhe dhe shtrohet pyetja nëse kryeministri ka ndërmend të ndërhyjë përmes mekanizmave shtetërorë në atë fond ku njerëzit kursejnë për ditët e pensionimit. Qytetarët janë të frikësuar nëse do t’i marrin fare ato para mbrapsht dhe çfarë fshihet saktësisht pas deklaratës së kryeministrit. Kjo është një goditje e rëndë për qytetarët.”, - deklaroi kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.
FLORIJE KAMBERI
