Maqedoni
Kuvend, kundërshtohet interpelanca ndaj Toshkovskit
24.06.2026 17:05
Ministri i Brendshëm, Pançe Toshkovski, i mbijetoi edhe një interpelance në Kuvend....

Ministri i Brendshëm, Pançe Toshkovski, i mbijetoi edhe një interpelance në Kuvend. Shumica e deputetëve votuan kundër votëbesimit të ngritur nga deputetët e partisë E Majta. Gjatë debatit disa orësh deputeti Dimitar Apasiev tha se ministri Toshkovski identifikohet me skandale të shumta korruptive, mos mbartje përgjegjësi për tragjedinë e Koçanit, polici të korruptuar, nepotizëm në ministri, pasiguri, vrasje dhe dhunë në shoqëri.
“Flamuri maqedonas shkelet, nuk ka arrestime, por për valëvitjen e flamurit palestinez nga kryetari i Rinisë së Kuqe, menjëherë arrestim. Bllokimet në Oreovec të Prilepit i shpërndatë me policë, por për bllokimet në Bit Pazar si mace, atje nuk ka asgjë, atje vlen ligj tjetër. Kemi femicidin, 15 raste në ditë të dhunës familjare, vrasës serik në Kumanovë nuk mund ta njihni. 39 policë kanë dështuar në rastin me Ivanën dhe Katian që u hodhën nga ballkoni.”, - deklaroi deputeti i partisë E Majta, Dimitar Apasiev.
Për ministrin Toshkovski pretendimet e deputetit Apasiev janë gënjeshtra dhe manipulime për të përfituar pikë politike. Ai tha se ministria ka bërë punën e saj duke reaguar në zbulimin dhe procesuimin e rastit të Mazutit, Lotarisë së Maqedonisë, ka ndërhyrë në dhunën ndaj grave, uljen e krimit në nivelin më të ulët, si dhe zbardhjen e 8 vrasjeve.
“Duke më goditur mua, ju po godisni një institucion i cili për herë të parë pas tridhjetë vitesh tregoi se ligji vlen njësoj për të gjithë. Kjo mbërriti edhe te ata që mendojnë se janë të pakapshëm, te ish-pushteti BDI – LSDM. E Majta, e cila aktron se është kundër të gjithëve, në praktikë u bë aleati më i dobishëm kundër atyre që ndër vitesh ndërtoi imazhin e saj. Nuk është për habi që është kështu, pasi E Majta asnjëherë nuk ka drejtuar institucione, nuk ka menaxhuar me buxhet dhe s’ka marrë asnjë vendim.”, - deklaroi ministri i Brendshëm, Pançe Toshkovski.
Akuza për punën e Toshkovskit drejtoi edhe deputeti i LSDM-së Mile Talevski.
“Sot do të shini përse në Maqedoni nuk ka drejtësi, nuk ka përgjegjësi. Pasi që ai që duhet të përndjekë krimin dhe korrupsionin, ministri i Punëve të Brendshme, ai vetë mbron krimin në shtet.”, - theksoi deputeti i LSDM-së, Mile Talevski.
Në mbrojtje të Toshkovskit, dolën deputetët e partisë. Ata nënvizuan rritjen e efikasitetit të policisë.
“Me këtë ministër, policia arriti efikasitet deri në 69%. Ky nuk është numër partiak, por numër zyrtar. Janë shpërbërë mbi 30 grupe të organizuara kriminale, një pjesë në fushën e drogës, korrupsionit, kontrabandimin me migrantë, me armë dhe formave të tjera të krimit të rëndë.”, - u shpreh deputeti i VMRO-DPMNE-së, Jovan Jaulevski.
Kjo është interpelanca e tretë ndaj ministrit Toshkovski. E Majta kishte kërkuar edhe njëherë tjetër votëbesimin, sikurse edhe Fronti Evropian gjatë vitit të kaluar.
MERAL ISMAILI
