Botë

Tërmet në Venezuelë, mbi 160 viktima dhe qindra të lënduar

25.06.2026 13:13

Dy tërmete të fuqishme kanë goditur Venezuelën duke lënë të vdekur të 164 persona dhe të plagosur afër 1.000 të tjerë....

Dy tërmete të fuqishme kanë goditur Venezuelën duke lënë të vdekur të 164 persona dhe të plagosur afër 1.000 të tjerë. Punëtorët e shpëtimit dhe banorët janë duke kontrolluar nëpër rrënoja për të mbijetuar, teksa pas fatkeqësisë natyrore udhëheqësja e përkohshme e vendit, Delsi Rodrigez shpalli gjendje emergjente.
 
Tërmetet me 7.2 dhe 7.5 shkallë të Rihterit goditën zonën e njëjtë në Venezuelë të mërkurën, sipas Shërbimit Gjeologjik të Shteteve të Bashkuara, duke shkaktuar rrëzimin e ndërtesave në kryeqytet dhe duke detyruar autoritetet që të mbyllin aeroportin kryesor të vendit. Pas tyre janë regjistruar më shumë se 20 lëkundje të tjera. Presidentja e përkohshme, Delsi Rodrigez, tha se numri i viktimave vazhdon të përditësohet.
 
“Kjo është një tragjedi me pasoja të rënda. Disa shtete janë goditur rëndë. Në Karakas, ndërtesa janë shembur në lagje të ndryshme. Nuk do të ketë mësim gjatë ditëve të mbetura të kësaj jave. Kemi aktivizuar të gjitha rrjetet publike dhe private shëndetësore, veçanërisht në zonat më të prekura, për t’u ndihmuar të lënduarve. U bëj thirrje të gjithë punonjësve shëndetësorë të paraqiten në punë që të mund t’i trajtojmë personat që po sillen në repartet emergjente të spitaleve.”, - deklaroi presidentja e përkohshme e Venezuelës, Delsi Rodrigez.
 
Banorët e Karakasit shprehen të tmerruar nga tërmeti. 
 
“Fillimisht filloi të dridhej lehtë, pastaj lëkundjet u forcuan gradualisht dhe në fund të gjithë u detyruam të dilnim nga shtëpitë dhe të mblidheshim jashtë.”,  - tha një banor.
 
“Ndërtesa lëvizte nga njëra anë në tjetrën, ishte e pabesueshme. Fatmirësisht nuk kishte shumë njerëz brenda, sepse paniku do të kishte qenë edhe më i madh.”, - tha një banor tjetër. 
 
Ministri i Brendshëm, Diosdado Kabello, u bëri thirrje banorëve që të largoheshin nga shtëpitë, duke shtuar se furnizimet me gaz të ndërtesave janë ndërprerë si masë mbrojtëse. Presidenti amerikan Donald Tramp ka shprehur gatishmërinë e ShBA-së për të ndihmuar Venezuelën, duke vënë në dispozicion ndihma dhe personel për operacionet emergjente.  
 
"Shtetet e Bashkuara janë të gatshme, dëshirojnë dhe mund të ndihmojnë! I kam udhëzuar të gjitha agjencitë e qeverisë sonë që të përgatiten për veprim të shpejtë. Ne do të jemi pranë miqve tanë të rinj dhe të shkëlqyer. Raportet e para nuk janë të mira.”, - theksoi presidenti i ShBA-së, Donald Tramp. 
 
Aeroporti Ndërkombëtar që gjendet afër Karakasit, u mbyll për shkak të “dëmeve serioze” në infrastrukturë, thanë autoritetet. Dridhjet e tokës u ndien deri në Bogota të Kolumbisë, ku u lëshuan alarmet dhe disa banorë u evakuuan nga ndërtesat si masë mbrojtëse.
 
GYLTENE SINANI