Rajon
Haxhiu: Shpresojmë për konsensus rreth presidentit
25.06.2026 13:59
Lëvizja Vetëvendosje po pret certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve të 7 qershorit për të filluar takimet me partitë politike për çështjen e presidentit...

Partia fituese e zgjedhjeve parlamentare në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje, po pret certifikimin e rezultateve të zgjedhjeve të 7 qershorit për të filluar takimet me partitë politike për çështjen e presidentit. Ushtruesja e detyrës së presidentes Albulena Haxhiu shpreson për arritjen e konsensusit për zgjedhjen e presidentit që Kosova të mund të ketë institucione me mandat të plotë.
“Le të presim njëherë që të ndodhë certifikimi i rezultateve dhe pastaj pas certifikimit të rezultateve natyrisht që do të ketë takime me partitë politike dhe urojmë që ta gjejmë një konsensus në mënyrë që ta votojë Kuvendi i Republikës së Kosovës me mandat pesëvjeçar dhe të vazhdojnë punët dhe përgjegjësitë që i kemi para qytetarëve.”, - deklaroi Albulena Haxhiu nga LVV.
Haxhiu thotë se fillimisht duhet të konstituohet Kuvendi, përfshi zgjedhjen e kryeparlamentarit, e më pas të bëhet edhe mandatimi i kandidatit për kryeministër.
“Le ta konstituojmë Kuvendin, le ta zgjedhim Qeverinë dhe menjëherë pra, pas konstituimit të Kuvendit, kryetari i ri i Kuvendit ose kryetarja, kushdo që të jetë ai apo ajo, do të ketë të drejtën kushtetuese ta mandatojë kandidatin për kryeministër të vendit.”, - theksoi Albulena Haxhiu nga LVV.
Sa u përket pretendimeve të LDK-së që presidenti t’i takojë asaj partie, nga Vetëvendosje thonë se presin që kandidati për president të jetë jopartiak.
GYLTENE SINANI
