Maqedoni
Marrëdhënie me Bullgarinë, Gashi: Bëjmë çmos për raporte të mira
25.06.2026 14:56
Gashi sqaron për gazetarët se takimi i tij me homologen bullgare Mihaela Dotsova ka kaluar në një atmosferë pozitive....

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, sqaron për gazetarët se takimi i tij me homologen bullgare Mihaela Dotsova ka kaluar në një atmosferë pozitive, ndërkaq në fokus ka qenë përmirësimi i raporteve mes dy vendeve, me theks të veçantë në fushat ku kryqëzohet procesi eurointegrues i vendit. Për të shtuar besimin dhe mirëkuptimin mes dy vendeve, Gashi ka ftuar shefen e kuvendit bullgar për vizitë në vendin tonë, ftesë së cilës sipas kryeparlamentarit, Dotsova e ka mirëpritur dhe pret që kjo të ndodhë brenda vitit.
“Shfrytëzova rastin që të kem takim bilateral me homologen time, kryetaren e Parlamentit të Bullgarisë. Patëm një takim shumë të frytshëm, në një atmosferë shumë pozitive. Biseduam kryesisht për thellim të bashkëpunimit mes dy kuvendeve tona, komisioneve tona dhe gjithashtu u dakorduam që është mirë të marrim eksperienca që Bullgaria ka pasur gjatë anëtarësimit në BE. Besojmë që brenda vitit do të kemi vizitën kthyese të presidentes së parlamenti bullgar. Ne po bëjmë çmos që me Bullgarinë të ndërtojmë raporte sa më të mira, t’i përmirësojmë raportet dhe jam i bindur se kjo është në frymën e anëtarësimit të vendit tonë në Bashkimin Evropian.”, - deklaroi kryetari i Parlamentit, Afrim Gashi.
Agjenda reformuese, ligjet me afat në qershor, Gashi: Punojmë maksimalisht në miratimin e tyre
Kur jemi te faktorët që pengojnë procesin eurointegrues, Gashi u ndal edhe te reformat, që, sipas agjendës, duhet të mbarojnë deri në fund të qershorit, për çka tha se Kuvendi do të punojë intensivisht që ta plotësojë këtë afat të caktuar nga institucionet e BE-së.
“30 qershori është një datë e vendosur kur ne duhet t’i miratojmë, t’i sjellim ligjet që kanë të bëjnë me Agjendën Reformuese. Do ta shfrytëzojmë maksimalisht deri më 30 qershor që të gjitha ligjet që janë të propozuara nga qeveria apo nga deputetët e që kanë të bëjnë me Agjendën Reformuese, ne si Kuvend të mund t’i trajtojmë, t’i shqyrtojmë dhe t’i votojmë deri në fund të qershorit.”, - theksoi kryetari i Parlamentit, Afrim Gashi.
Në brifing me gazetarë Gashi shpalosi edhe punën e Kuvendit në këto dy muaj, Sipas tij, korriku i është falur edhe ribalancit të buxhetit, si dhe rikonstruimit të Qeverisë.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
