Maqedoni
Rikonstruimi i Qeverisë, bisedimet vazhdojnë, s’ka marrëveshje finale
25.06.2026 15:08
Ende nuk ka marrëveshje përfundimtare mes partnerëve në pushtet për rikonstruimin e Qeverisë...

Ende nuk ka marrëveshje përfundimtare mes partnerëve në pushtet për rikonstruimin e Qeverisë, i cili është intensifikuar këto ditë. Gjatë fundjavës pritet të ketë edhe një raund bisedimesh, pas të cilit, siç ka informuar më herë kryeministri në fillim të javës së ardhshme, procesi do të përmbyllet si propozim formal dhe do ta dorëzohet në Kuvend para 1 korrikut. Kryeparlamentari Afrim Gashi konfirmoi se ende nuk ka arritur propozim nga Qeveria për rikonstruim. Se si do të zhvillohet procedura varet nga numri i resorëve që do të pësojnë ndryshime.
“Në përputhje me propozimin që do të vijë nga kryetari i Qeverisë, nëse ndryshohen më pak se 1/3, atëherë mund të shkohet në ndryshim të njëpasnjëshëm për secilin ministër. Për secilin ministër ka diskutim dhe votim. Nëse propozimi është që të ndryshohen mbi 1/3 e pjesëmarrësve të Qeverisë, pra ministrave, atëherë procedura është e njëjtë sikurse për zgjedhjen e Qeverisë. Pra, varet nga propozimi i kryeministrit. Sidoqoftë, besojmë se pavarësisht propozimit, ne do ta shqyrtojmë çështjen dhe në përputhje me rregulloren do ta trajtojmë propozimin dhe besoj që sa më shpejt që është e mundur do ta votojmë rikonstruimin e Qeverisë.”, - deklaroi kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi.
Përveç spekulimeve, nga Qeveria nuk kanë dhënë informacione dhe detaje se cili resor do të pësojë ndryshime në udhëheqësi. Nëse lëvizin pozitat dhe emrat që përfliten, atëherë rikonstruimi do të përfshijë të paktën 7 resorë. Në atë rast, Qeveria do të votohet në pako.
FLORIJE KAMBERI
