Maqedoni
Ndryshimi i toponimeve ish-jugosllave, Snopçe i kërkon Qeverisë ndërhyrje konkrete
25.06.2026 15:19
Snopçe pyeti kryeministrin Mickoski nëse Qeveria ka një strategji për dejugosllavizimin...

Shkëputja e hapësirave publike, rrugëve dhe institucioneve nga trashëgimia politike dhe ideologjike e sistemit ish-jugosllav, temë debati në seancën pyetje deputetësh. Deputeti i ASh-së, Halil Snopçe, pyeti kryeministrin Mickoski nëse Qeveria ka një strategji për dejugosllavizimin e toponimeve në kohën kur ende po ruhen emërtimet publike që glorifikojnë institucionet dhe simbolet e ish-Jugosllavisë. Snopçe konsideron se iniciativa duhet të vijë nga Qeveria.
“Cilat janë masat konkrete që planifikoni të ndërmerrni dhe në çfarë afati kohor, sepse mos të harrojmë kanë kaluar 35, 36 vjet të pavarësisë që ende vazhdojnë këto emërtime dhe në fakt asnjë Qeveri nuk ka marrë asnjë masë. Edhe nëse ka tentuar të marrë ndonjë masë konkrete nuk ka pasur efekt, pra nuk ka rezultat.”, - deklaroi deputeti i ASh-së, Halil Snopçe.
Mickoski: Iniciativa të vijë nga komunat
Kryeministri Hristijan Mickoski shprehu gatishmërinë për ndryshime, pasi nuk ka nostalgji për Jugosllavinë. Megjithatë, nuk tha afate, pasi sipas tij, vendi po përballet me prioritete të tjera, problematika dhe halle të trashëguara nga e kaluara.
“Së bashku me komunat, me njësitë e qeverisjes lokale do të ulemi dhe do të gjejmë mënyrën se si e gjithë kjo të tejkalohet si dukuri. Ndryshe, procesi duhet të nisë nga komunat, këshillat dhe pastaj vjen në Qeveri. Absolutisht, unë si kryetar i Qeverisë do të mbështesë çfarëdo dejugosllovenizim të toponimeve të tilla. Dhe kur të vijë koha, kur të marrim propozim nga komunat, ne do ta rishikojmë dhe do ta japim qëndrimin tonë.”, - theksoi kryeministri, Hristijan Mickoski.
Mickoski thotë se çështjen e ka folur edhe me partinë VLEN, që emrat e rinj të manifestojnë karakterin multietnik të komunave dhe të përkojnë me figura dhe ngjarje historike që manifestojnë përkushtimin e popujve në vend për krijimin e shtetit të pavarur të Maqedonisë. Disa ditë më parë, Gjykata Kushtetuese shfuqizoi vendimin e vitit 2007, me të cilin sheshi i Tetovës dhe disa rrugë të qytetit morën emra në gjuhën shqipe dhe emra të figurave historike shqiptare. Me këtë vendim sheshi “Iliria” quhet “Marshall Tito”, rruga “Dervish Cara” rikthehet në akronimin e ushtrisë jugosllave JNA, “Mehmet Pashë Deralla” rikethehet në “29 Nëntori” etj.
MERAL ISMAILI
