Botë

Pakistan, mbyllet zyra e Organizatës “Save The Children”

12.06.2015 11:41

Autoritetet e Pakistanit kanë urdhëruar Organizatën “Save The Children” që të largohet nga ky vend, derisa një zyrtar e ka akuzuar atë për aktivitete “kundër Pakistanit”...

Policia e ka mbyllur zyrën e kësaj organizate humanitare në kryeqytetin Islamabad, me ç’rast personelit të jashtëm i është dhënë afati prej 15 ditësh që të largohen nga Pakistani.
 
“Save The Children” tha se nuk ka marrë ndonjë paralajmërim për këtë veprim dhe “fuqishëm e kundërshton” aksionin e autoriteteve pakistaneze. 
 
Më herët, Pakistani e ka ndërlidhur këtë organizatë me programin e vaksinimit të rrejshëm të përdorur nga agjencia amerikane, CIA, për ta gjetur Osama bin Ladenin.
 
Por, organizata “Save The Children” gjithnjë e ka hedhur poshtë involvimin me agjencinë CIA ose me mjekun pakistanez, Shakil Afridi, i cili e kishte kryer programin e vaksinimit dhe u kishte thënë hetuesve pakistanezë se CIA e kishte rekrutuar atë nëpërmjet një zyrtari të lartë të organizatës “Save The Children” për të ndihmuar në gjetjen e Bin Ladenit.
 
Zyrtarët pakistanezë thonë se leja e përkohshme e kësaj organizate për të operuar në këtë vend kishte skaduar më 15 maj.