Maqedoni

FSSh-ja shpalli listën pozitive të zgjeruar, nga korriku, Clexane dhe Fraxiparin do të arrijë në farmaci

25.06.2026 15:26

Barna të reja do të shtohen në listën pozitive në muajin e ardhshëm...

Barna të reja do të shtohen në listën pozitive në muajin e ardhshëm, njoftoi drejtori i Fondit për Sigurim Shëndetësor, Sasho Klekovski. Zgjerimi i listës ka të bëjë kryesisht me terapinë me antikoagulantë, si Clexane dhe Fraxiparin, ilaçe kundër mpiksjes së gjakut.
 
“Pra, më në fund, Clexane dhe Fraxiparin do të jenë të disponueshme në farmaci, plus edhe një tjetër. Këto janë ilaçe, antikoagulantë, në përgjithësi. Le të themi për raste akute, pas operacionit, për të parandaluar koagulimin pas ndërhyrjeve të rënda. Për shembull, pas zëvendësimit të ijes ato përdoren tek popullata e moshuar me probleme me zemrën.”, - deklaroi drejtori i FSSh-së, Sasho Klekovski.
 
Klekovski iu referua gjithashtu praktikës aktuale të përshkrimit masiv të këtyre ilaçeve për kategori të caktuara pacientësh si tek gratë shtatzëna, të cilat kërkojnë kontroll të detajuar. 
 
“Në rastin e shtatzënive patologjike, tani po planifikojmë një takim të veçantë me Klinikën e Gjinekologjisë në Shkup, sepse është plotësisht e paqartë se çfarë vendosin ata si shtatzëni patologjike, sepse dy të tretat e shtatzënive janë tashmë patologjike, që është jo normale. Dua të them, dy të tretat nuk mund të jenë shtatzëni patologjike.”, - theksoi drejtori i FSSh-së, Sasho Klekovski.
  
Drejtori i Fondit Shëndetësor me këtë rast prezantoi Raportin Analitik mbi Konsumin e Barnave për Periudhën 2023 - 2025. Sipas tij, mbi 11 miliardë denarë në vitin 2025 fondi shëndetësor ka harxhuar për ilaçe, ndërsa në vitin 2023 ishte mbi 8 miliardë denarë. Si prioritete kryesore të Fondit në periudhën e ardhshme, Klekovski përmendi mbikëqyrjen e shtuar mbi konsumin masiv me recetë, luftën kundër abuzimit dhe mashtrimit me ilaçet, si dhe sigurimin e hapësirës dhe buxhetit për futjen e terapisë moderne dhe më të shtrenjtë për qytetarët.
 
VLORA LATIFI TOPOJANI