Maqedoni
Ligji për Përfaqësim të Drejtë, Gashi: Apeloj që të gjithë bashkërisht ta votojmë ligjin
25.06.2026 15:33
Gashi u bëri thirrje të gjithë deputetëve që të mbështesin Ligjin për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat....

Kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, u bëri thirrje të gjithë deputetëve që të mbështesin Ligjin për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat. Sipas tij, ligji po paragjykohet para se të nisë zbatimi në praktikë dhe për këtë arsye duhet të miratohet, ndërsa më pas të vlerësohen efektet e tij. Gashi theksoi se nëse gjatë implementimit vërehen mangësi apo gabime në dispozita të caktuara, ato mund të korrigjohen përmes ndryshimeve ligjore.
“Ligji për Përfaqësim Adekuat po paragjykohet, por do t’ia lëmë kohës. Është shumë mirë që do të kemi ligj dhe brenda ligjit ngrihet një sistem i tërë, i cili do të kujdeset për implementimin e konceptit bazik kushtetues, përfaqësimit të drejtë dhe adekuat. Prandaj, mendoj se ne duhet ta votojmë ligjin, ta përmirësojmë, në qoftë se ka amendamente konstruktive dhe pozitive.”, - deklaroi kryeparlamentari, Afrim Gashi.
Gashi: Ata që nuk do ta zbatojnë, do të shkarkohen
Gashi tha se sanksionet nuk janë gjithmonë zgjidhja më efikase për zbatimin e ligjit. Sipas tij, drejtuesit e institucioneve që nuk e zbatojnë atë do të mbajnë përgjegjësi politike dhe mund të shkarkohen nga detyra.
“Nuk lidhet implementimi i ligjeve gjithmonë me gjobat dhe masat sanksionuese, ndonjëherë mund të keni edhe kundërefekt, kur vendosni vetëm sanksionet e caktuara apo gjobat dhe pastaj njerëzit në bazë të gjobave mund të shfaqin qëllime të qëllimshme që të mos e implementojnë, sepse është përgjegjësi politike, d.m.th. ka trup koordinues, i cili do ta vlerësojë punën e secilit bartës apo udhëheqës të funksionit publik dhe nëse bartësi i atij institucioni nuk e implementon do të ketë pasoja, do të shkarkohet.”, - theksoi kryeparlamentari, Afrim Gashi.
Ai shtoi se, nëse pas gjashtë muajsh ose një viti vlerësohet se nevojiten sanksione shtesë për të përmirësuar zbatimin, ato mund të përfshihen përmes ndryshimeve të ardhshme.
Opozita e konsideron antikushtetues
Ndërkohë, opozita e konsideron propozim-ligjin antikushtetues. Deputetët opozitarë kanë dorëzuar 31 amendamente, të cilat kryesisht lidhen me mungesën e mekanizmave ndëshkues dhe mungesën e kuotave etnike në procesin e punësimit. Deri më tani, të gjitha amendamentet e shqyrtuara janë refuzuar.
ARMEND MURSELI
