Maqedoni

Maqedonia drejt BE-së, Filipçe i dha zero punës së Qeverisë, kryeministri Mickoski fajësoi opozitën

25.06.2026 15:55

Kreu i opozitës maqedonase e përkufizoi me zero rezultate punën dyvjeçare të Qeverisë...

Qeverisje dyvjeçare e dështuar, ngecje me reforma drejt BE-së, në ekonomi, drejtësi dhe mos dhënie llogari para qytetarëve, ishin këto ndër akuzat që adresoi deputeti socialdemokrat Venko Filipçe nga foltorja e Kuvendit, kryeministrit Hristijan Mickoski. Filipçe foli për mungesë të minimales prej 600 euro, inflacion ekonomik, borxhe shtetërore prej 2.5 miliardë euro, borxh publik në afër 11 miliardë euro, si dhe ikje të të rinjve. Ai e rrumbullakosi me një zero punën e Qeverisë. 
 
“Ky është rezultati juaj kryeministër: një zero e madhe për reforma, për rritje të pagave, për masa për të rinjtë, për mbështetjen e bujqve, zero për rrugën evropiane. Pyetja ime është e thjeshtë se kush është fajtor për këto premtime të papërmbushura? Kush është fajtor për dy vite të humbura?”, - deklaroi deputeti i LSDM-së, Venko Filipçe.
 
Akuzat e tilla krijuan kundër reagim të ashpër nga kryeministri Hristijan Mickoski, i cili pranoi se vendi përballet me sfida në rrugën drejt BE-së, por me faj të ish-pushtetit dhe opozitës aktuale. Ai tha se të rinjtë po ikin në mungesë të drejtësisë dhe mbartjes së përgjegjësisë.
 
“Pajtohem me ju që kemi një problem dhe po përpiqemi me të gjitha forcat ta zgjidhim atë problem. Pavarësisht faktit që kemi 'kuislingë' në vend që po përpiqen të rrënojnë pozicionet e kësaj qeverie nga brenda. Kur pala kundërshtare e sheh këtë, është logjike të thotë - kur i kemi ata atje, pse duhet të merremi me ta? Ju thoni se çdo person i tretë planifikon të largohet nga Maqedonia. A e dini pse? Sepse ju shohin në Dubai duke u argëtuar në Haris Gjinoviq, dhe ju nuk jeni në burg. Sepse ata shohin ish-zyrtarë duke u argëtuar në jahte.”, - u shpreh kryeministri, Hristijan Mickoski.
 
Me gjithë sfidat, Mickoski tha se Qeveria do të dalë fitues në procesin integrues, ndërkaq foli edhe për zhvillimin ekonomik, si dhe uljen e inflacionit në krahasim më shifrat, që, sipas tij, kishin rënduar shtetin në të kaluarën.
 
MERAL ISMAILI