Maqedoni

Emigrantët ilegalë, edhe mbrëmë protesta në qendrën në Gazi Babë

12.06.2015 11:56

Emigrantët ilegalë vazhdojnë të jenë në qendër të vëmendjes së njerëzve dhe mediave në Maqedoni...

Dje në një aksion MPB shkatërroi një degë trafikimi ilegal në fshatin Vaksincë, ku u zbuluan 128 emigrantë ilegalë dhe u arrestuan 4 persona, pronarë të shtëpive ku ishin strehuar emigrantët.
 
Policia ka ngritur procedura për veprën “trafikim emigrantësh”.
 
Gjithashtu është kapur edhe një person 68 vjeçar, i cili është kërkuar me fletëarrest për vuajtje të dënimit me burg për vrasje.
 
Gjatë aksionit policia ka konfiskuar edhe armë, municion dhe mjete tjera.
 
Pronarët e objekteve i kanë dhënë me qira objektet në shumë prej 1500 euro në muaj, varësisht nga ajo se për çfarë objekti bëhet fjalë, apo nëse vet i kanë pranuar emigrantët iu kanë marrë nga 5 deri 10 euro vetëm për strehim, pa iu dhënë krevat.
 
Por nuk vuajnë vetëm emigrantët që strehohen privatisht në Maqedoni. Edhe mbrëmë banorët e lagjes së Gazi Babës, ku gjendet Qendra për Pranimin e Azilkërkuesve, janë ankuar për zhurmën që vinte nga kjo qendër ku për të dytën natë me radhë emigrantët ilegalë të strehuar në të protestojnë për stërzgjatjen e procedurave të nxjerrjes së tyre para gjykatësit për të përcaktuar mënyrën e arritjes së tyre në Maqedoni, por mbi të gjitha për kushtet katastrofale në të cilat ata jetojnë në këtë qendër. 
 
Për kushtet në të cilat gjenden emigrantët e strehuar në Shkup, në një press-konferencë sot do të prononcohet edhe avokati i popullit, Ixhet Mehmeti.