Rajon

Rizvanolli: Qeveria e Kosovës nuk është kundër gazit amerikan

26.06.2026 14:36

Rizvanolli ka përgënjeshtruar deklaratat se Qeveria e Kosovës është kundër gazit të lëngëzuar nga ShBA-ja...

Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka përgënjeshtruar deklaratat se Qeveria e Kosovës është kundër gazit të lëngëzuar nga ShBA-ja, e me atë edhe vendosjen e tezave ndaj kryeministrit Kurti si antiamerikan. Pavarësisht aludimeve, Kosova dhe Qeveria e saj mbeten të bashkërenduara me politikën e jashtme të ShBA-së, thekson Rizvanolli, duke shtuar se Kosova e përkrahë përpjekjen amerikane për eliminimin e ndikimit rus në rajon, nëpërmjet furnizimit me gaz.                                       
“Pavarësisht këtyre aludimeve nuk ka asnjë dilemë që Kosova dhe Qeveria e saj kanë qenë dhe mbeten të bashkërenduara me politikën e jashtme të ShBA-së në mënyrë konsistente dhe parimore. Sigurisht që Kosova e çmon dhe përkrah përpjekjen e ShBA-së për të eliminuar përpjekjen, për të eliminuar ndikimin që Rusia ka në rajonin tonë përmes furnizimit me gaz. Shtetet si Serbia, RMV-ja ose Bosnjë Hercegovina, që kanë infrastrukturë gazi dhe varësi nga gazi rus, patjetër që duhet të zgjedhin mes Rusisë dhe Amerikës, por në rastin e Kosovës shfrytëzimi i tezës së gazit për të vendosur etiketime si antiamerikan, ose për të shtruar pyetjen me Rusinë ose me Amerikën është jo vetëm fals, por edhe komplet i palogjikshëm, sepse Kosova nuk importon asnjë metër kub gaz rus. Kosova kurrë nuk e ka zgjedhur Rusinë as në energji e në as një fushë tjetër.”, - deklaroi ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.
 
Rizvanolli sqaroi se Kosova ka zgjedhur thëngjillin, burimet e ripërtërimit të energjisë si era e dielli, kogjenerimin për ngrohje qendrore dhe efiçencën e energjisë. Ky kombinim mbështetet në burime vendore dhe është më i liri për qytetarët dhe bizneset, tha ajo.
 
“Kosova është me fat që ka rezerva të qymyrit, gjë që na ka mundësuar të mos krijojmë varësi nga gazi, por edhe të mbajmë çmimet më të ulëta në rajon, përkundër krizave globale në vitet e fundit. Sot familjet në Shqipëri paguajnë energji elektrike 31% më shumë se sa ne, ato në RMV 30% më shtrenjtë, e në Serbi 25% më shtrenjtë. Ne synojmë që Kosova të vazhdojë të ketë çmimin më të ulët të energjisë elektrike. Prandaj edhe LNG-në e konsiderojmë jo si zëvendësim të burimeve tona, por vetëm si burim shtesë për kohën kur burimet tona nuk mjaftojnë. Nga analizat që kemi bërë, mënyra më e shpejtë dhe ekonomikisht e dobishme për inkuadrimin e LNG-së në miksin tonë energjetik është përmes termocentralit në Vlorë.”, - theksoi ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli.
 
Në këtë kontekst ajo përmendi memorandumin për bashkëpunim mes Kosovës dhe Shqipërisë të nënshkruar në vitin 2022, me synim bashkëpunimi në termocentralin e Vlorës me LNG-në. Bashkëpunimi në energji me Republikën e Shqipërisë për Kosovën është shumë i natyrshëm, thotë Rizvanolli, duke shtuar se në vend të ndërtimit të gazsjellësit dhe infrastrukturës përcjellëse të gazit, që merr kohë dhe ka kosto financiare, Kosova mund ta importojë gazin e lëngëzuar në Vlorë, ta prodhojë energjinë elektrike atje dhe ta transmetojë nëpërmjet linjës së interkonjeksionit 400 kilovoltësh, që është i gatshëm dhe nuk kërkon investime shtesë. 
 
GYLTENE SINANI