Tërmeti në Venezuelë, vazhdon të rritet numri i viktimave
26.06.2026 15:10
Numri i viktimave nga tërmeti në Venezuelë është rritur në mbi 589 persona...

Numri i viktimave nga tërmeti në Venezuelë është rritur në mbi 589 persona, mbi 4 mijë janë të lënduar, 1.500 prej të cilëve janë shtrirë në spital, ndërsa mbi 50 mijë njerëz figurojnë të zhdukur. Ekipet e shpëtimit vazhdojnë të punojnë pandërprerë në pjesë të Karakas dhe në qytetin bregdetar La Guaira, prej ku kanë arritur të shpëtojnë shumë persona të mbetur nën rrënoja. Po ashtu nga objektet e rrënuara vazhdojnë të dëgjohen thirrje për ndihmë.
“Deri më tani kemi trajtuar më shumë se 4.300 persona të lënduar, shumica janë me lëndime më të lehta, por ka edhe të tillë me lëndime të mesme dhe të rënda. Shumë prej tyre kishin nevojë për operacione dhe për fat të keq pranuam rreth 235 pacientë që mbërritën pa shenja jete ose që ndërruan jetë menjëherë pasi arritën.”, - deklaroi ministri i Shëndetësisë i Venezuelës, Karlos Alvarado.
Ministri i Brendshëm, Diosdado Kabello, tha se rreth 70.000 familje në shtetin La Guaira janë prekur nga tërmeti. La Guaira, shteti bregdetar ngjitur me Karakasin dhe vendndodhja e aeroportit kryesor të kryeqytetit, është ndër zonat më të goditura. Mijëra banorë netët po i kalojnë në ambiente të hapura, nga frika për t’u kthyer në objektet e dëmtuara. Ata rrëfejnë për tmerret që kanë përjetuar dhe humbjen e të afërmve.
“Ishte e tmerrshme. Pamë shumë gjëra. Luftuam për t’i nxjerrë fëmijët gjallë, ishin tre, një e nxorëm gjallë. Nuk mundëm t’i ndihmonim të gjithë.”, - tha një qytetar.
“Nuk ka fjalë, nuk ka fjalë. Ishte e tmerrshme, humba nënën time.”, - tha një qyettare.
Vende nga e gjithë bota kanë premtuar mbështetje. Është paralajmëruar dërgimi i avionëve transportues, anijeve, ekipeve të shpëtimit dhe pajisjeve mjekësore.
“Sapo u publikua lajmi, ekipet e shpëtimit dhe shteti menjëherë treguan shqetësim. Vendet gjithmonë e bëjnë këtë kur ndodhin tragjedi të tilla të papritura, por askush nuk është i përgatitur të përballet me një situatë të tillë. Asnjë shtet nuk është i gatshëm të sigurojë përgjigjen e nevojshme. Prandaj janë këtu vendet fqinje.”, - theksoi Karlos Olivares nga Forcat Ajrore të Republikës Dominikane.
“Këto qendra janë vendi ku po grumbullojmë gjithçka që nevojitet për ta dërguar në Venezuelë, duke pasur parasysh katastrofën që ndodhi dje me dy tërmetet që goditën popullin tonë të mrekullueshëm venezuelian. Janë katër produkte bazë për të cilat na kërkuan ndihmë – veshmbathje, ujë të pijshëm, ushqim dhe materiale mjekësore.”, - u shpreh udhëheqësi i Bashkësisë së Venezuelës në Ekuador, Manuel Rodrigez.
ShBA-ja ndërmori hapa për t’i lehtësuar sanksionet, duke autorizuar transaksione që lidhen me ndihmën për tërmetin, të cilat në rrethana normale do të ishin të ndaluara. Presidenti Tramp tha se Shtetet e Bashkuara janë "të gatshme, të vendosura dhe në gjendje për të ndihmuar". Shefi i ndihmave humanitare i Kombeve të Bashkuara, Tom Fletçer, deklaroi se organizata po i bashkërendon ekipet ndërkombëtare të shpëtimit dhe se do të nevojitet "një përpjekje e madhe e përbashkët" në një vend ku, edhe para tërmetit, 8 milionë njerëz kishin nevojë për ndihmë humanitare.
GYLTENE SINANI
