VLEN-i me akuzë ndaj BDI-së: Keqpërdorën mjetet për kanalizim në Zajaz

26.06.2026 15:10

VLEN-i me akuzë ndaj BDI-së për keqpërdorim të mjeteve buxhetore dhe evropiane të destinuara për kanalizim për banorët e Zajazit...

VLEN-i me akuzë ndaj BDI-së për keqpërdorim të mjeteve buxhetore dhe evropiane të destinuara për kanalizim për banorët e Zajazit, duke u thirrur në informacionet e publikuara nga Drejtoria e Policisë Financiare. Sipas subjektit politik në pushtet, për 24 vite BDI-ja nuk ishte e mjaftueshme të ndërtojë një rrjet funksional të kanalizimit, aq më tepër që për këto vite nuk kanë munguar as ministra, drejtorë, kryetarë komunash  nga radhët e BDI-së, thonë nga VLEN-i.
 
“Shteti dhe qytetarët kanë pësuar dëme milionëshe dhe kanë humbur fonde evropiane. Sipas informacioneve të publikuara, Drejtoria e Policisë Financiare ka ngritur kallëzim penal për shkak të dyshimeve për keqpërdorime gjatë realizimit të projektit për rehabilitimin dhe zgjerimin e rrjetit të kanalizimit në Kërçovë. Bëhet fjalë për më shumë se 127 milionë denarë dëm të drejtpërdrejtë ndaj buxhetit dhe rreth 9.47 milionë euro fonde të humbura nga programi IPA, të cilat tani do të duhet të kompensohen me paratë e qytetarëve. Projekti nuk dështoi, sepse mungonin paratë. Paratë ekzistonin. Bashkimi Evropian kishte siguruar miliona euro.”, - deklaroi Faton Fazliu nga VLEN.
 
VLEN-i kërkon që Prokuroria Publike dhe Policia Financiare ta zgjerojnë plotësisht hetimin, t’i bëjnë publike të gjithë nënkontraktorët e angazhuar dhe të përcaktojnë nëse ekziston lidhje politike, biznesore apo familjare ndërmjet personave përgjegjës dhe strukturave të BDI-së. 
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU