Rikonstruimi i Qeverisë, javën e ardhshme do të publikohen ndryshimet
26.06.2026 15:24
Mickoski thekson se rikonstruimi mund të përfshijë një të tretën e Qeverisë...

Emrat e ministrave dhe ministritë që do të përfshihen me rikonstruimin e Qeverisë do të dihen pas mbajtjes së mbledhjes së komitetit ekzekutiv të VMRO-DPMNE-së të martën. Kryeministri Hristijan Mickoski thekson se rikonstruimi mund të përfshijë një të tretën e Qeverisë, mos më shumë dhe sipas tij, do të bëhet shkëmbim i posteve ministrore midis partnerëve të koalicionit bazuar në prioritete partiake.
“Partnerët e koalicionit qeverisës në këto dy vite kanë katalizuar prioritetet e veta aty ku mund më së shumti të kontribuojnë. Mendoj se ky rikonstruim do të jetë në atë frymë dhe formë. Secili nga partnerët e koalicionit ka prioritetet e saj në fushë të caktuara. Do të ketë ndryshime të resorëve dhe në drejtim të kësaj unë konsideroj se në periudhën që vijon, kjo qeveri, nëse merr besimin nga deputetët ashtu sikurse planifikojmë ta rikonstruojmë, ta shohim se a do të jetë në kuadër të një të tretës ose më shumë; pres që ta përfundojë me sukses mandatin e saj.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski.
Edhe nga VLEN-i theksojnë se bisedimet po vijojnë dhe fillim javën që vjen do të shpalosen detaje.
“Bisedimet ndërmjet partnerëve të koalicionit ende vazhdojnë. Besoj që në ditët në vijim, më saktë në dy tre ditët e ardhshme opinion do të jetë i njoftuar saktësisht edhe me pozicionimet e partnerëve të koalicionit edhe me ndryshimet e resorëve ndërmjet partnerëve të koalicionit, por edhe me emrat.”, - theksoi Faton Fazliu nga VLEN.
Mirëpo nga LSDM opozitare janë shprehur se rikonstruimi paraqet luftë për mbajtjen e karrigeve ministrore që të pengohet drejtësia dhe llogaridhënia. Ata apostrofojnë ndeshje të interesave brenda partisë “E di”, të cilët përgënjeshtrojnë pretendimet e tilla.
“Maksim Dimitrievski dhe Goran Minçev janë në luftë direkte për ndikime. Dimitrievski ka njeriun e tij dhe e dëshiron Ministrinë e Drejtësisë, ndërkaq nga ana tjetër, Minçevi nuk e dëshiron këtë ministri, pasi që e di se janë shkruar paratë dhe bujqit janë skajshmërisht të pakënaqur. Filkovi dëshiron të qëndrojë në Ministrinë e Drejtësisë, që të kontrollojë drejtësinë, parandaloj hetimet dhe zbatoj tenderët e planifikuar.”, thonë nga LSDM.
“Informacionet e tilla se ata janë grindur nuk janë të sakta. Në tavolinë janë shtruar të gjitha opsionet. Nuk ka marrëveshje përfundimtare për asnjë çështje.”, - u shpreh zëdhënësi i partisë “E di”, Nikolla Memov.
Jo zyrtarisht mësohet se dikasteret që do të pësojnë ndërrim apo rrotacion ministrash do të jenë Ministria e Drejtësisë, punës dhe politikës sociale, dikasteri i bujqësisë, kulturës, Ministria e Sportit dhe eurointegrimet. Mund të preket edhe Ministria e Shëndetësisë, por edhe Ministria për Marrëdhënie midis Bashkësive e drejtuar nga Stoilkoviqi.
MERAL ISMAILI
