Maqedoni
Kuvend, miratohen ligjet për gjyqësorin dhe prokurorinë, LSDM-ja kundërshton, e pakënaqur me ligjet e reja
26.06.2026 15:27
Kuvendi sot, në kuadër të seancës së 108-të, miratoi ligjet për shërbimin gjyqësor dhe për shërbimin e Prokurorisë Publike....

Kuvendi sot, në kuadër të seancës së 108-të, miratoi ligjet për shërbimin gjyqësor dhe për shërbimin e Prokurorisë Publike. Deputetët e opozitës nuk e mbështetën projektligjin, pasi sipas tyre, të dyja zgjidhjet ligjore nuk janë reformuese dhe me to vetëm në mënyrë deklarative ndiqen objektivat e Agjendës së Reformave. Sipas deputetes Jovana Trençevska të LSDM-së, këto ligje nuk garantojnë pavarësi, paanshmëri dhe avancim të shërbimit gjyqësor e prokurorial.
“Bëhet fjalë për një ligj që është larg të qenit reformues, larg asaj që parashikon Agjenda e Reformave. Kemi një ligj që vetëm në mënyrë deklarative ndjek objektivat e Agjendës së Reformave. Në vend që të forcojë pavarësinë e shërbimit të Prokurorisë Publike, në disa dispozita vazhdojnë të ruhen mekanizmat përmes të cilëve pushteti ekzekutiv ushtron ndikim.”, - deklaroi Jovana Trençevska nga LSDM.
Reagoi deputeti Ljupço Prendxhov nga VMRO-DPMNE. Tha se vendi po zbaton reformat me ritmin më të shpejtë dhe do të përfitojë më së shumti fonde nga Bashkimi Evropian.
“Ju, si opozitë, keni dy mundësi. E para është të dilni dhe të thoni se të gjitha këto zgjidhje ligjore që po miratohen tani, keni mundur t’i miratonit edhe ju, por nuk e keni bërë. Ne ishim në fund të listës së vendeve të Ballkanit Perëndimor, ndërsa sot jemi të parët dhe udhëheqim. Së dyti, lidhur me këto zgjidhje ligjore, në mënyrën më demokratike u ftuan të gjithë ata që janë të lidhur me këto dy ligje. Ata kishin dy vërejtje kryesore, e para, që të mos u shkurtohej asnjë denar nga paga, dhe e dyta, që të mos e humbnin statusin e nëpunësve gjyqësorë, përkatësisht të nëpunësve të Prokurorisë Publike. Ndodhi që punuam deri vonë dhe i pranuam të dyja këto vërejtje.”, - theksoi Ljupço Prendxhov nga VMRO-DPMNE.
Sa i përket Projektligjit për procedurën kontestimore, grupi parlamentar i Frontit Evropian kërkoi që propozim-ligji t’i dërgohet në shqyrtim komitetit për marrëdhënie ndërmjet bashkësive.
“Konsiderojmë se është e domosdoshme dhe me përputhje me rendin kushtetues dhe juridik që ky propozim-ligj të shqyrtohet edhe në komitetin për marrëdhënie ndërmjet bashkësive para se të vazhdojë procedura e mëtejshme parlamentare për ta përcaktuar mënyrën e votimit për të.”, - u shpreh Dijana Toska nga Fronti Evropian.
Për projektligjin për procedurën kontestimore, votimi për të do të caktohet në një datë të mëvonshme. Në kuadër të seancës së 108-të u miratuan edhe Ligji për drejtuesit e lartë, Ligji për përdorimin e energjisë nga burimet e rinovueshme dhe Ligji për armët.
ARMEND MURSELI
