Rikonstruimi i Qeverisë, Mickoski: Resorët janë ndarë, me emra dalim së shpejti

29.06.2026 15:31

Rikonstruimi i Qeverisë po hyn në fazën përfundimtare....

Rikonstruimi i Qeverisë po hyn në fazën përfundimtare. Kryeministri Hristijan Mickoski thekson se në parim është arritur marrëveshje me partnerët e koalicionit VLEN dhe Lëvizjes “E di”, por se emrat e personave që do të emërohen do të bëhen publikë nesër në mbrëmje, pas mbledhjes së Komitetit Ekzekutiv të VMRO-DPMNE-së.
 
“Po, ne nuk kemi biseduar për zgjidhje personale, pra për emra. Në parim kemi marrëveshje për resorët. Edhe më parë kam thënë se derisa të përfundojë mbledhja e Komitetit Ekzekutiv të partisë, nuk do të komentoj as për resorët e as për emrat. Prisni deri nesër, diku rreth orës 20:00, opinioni do të njoftohet në detaje.”, - deklaroi kryeministri i RMV-së, Hristijan Mickoski.
 
I pyetur për ndryshimet në nivelet e tjera të pushtetit, Mickoski tha se ato do të vazhdojnë nga shtatori, pasi gjatë korrikut do të realizohet rikonstruimi i Qeverisë dhe ribalancimi i buxhetit, ndërsa në gusht Kuvendi është në pushim vjetor.
Ndërkohë, nënkryetari i BDI-së, Bujar Osmani, deklaroi se ndryshimet në përbërjen e Qeverisë nuk ndryshojnë politikat që ajo ndjek. Sipas tij, ministrat e rinj do të zbatojnë vullnetin e kryeministrit dhe jo vullnetin e shqiptarëve.
 
“Pavarësisht kush sa ministra dhe sa pozita do të ketë, ata do të jenë ose realizues ose avokat të kësaj përzgjedhjeje programore të Qeverisë, bllokimin evropian, rishikimin ulirateral të Marrëveshjes paqësore, do të thotë reduktimin e statusit të shqiptarëve në RMV dhe mosrespektimin e vullnetit. Kushdo nga ato ministra të emërohen ose të shkarkohen, ata do të jenë vetëm vullnet i kryeministrit dhe politikës se partisë maqedone, por jo edhe vullnetit të shqiptarëve të cilët në zgjedhjet parlamentare të vitit 2024 qartë nuk i dhanë mandat VLEN-it për t’i përfaqësuar ata.”, - deklaroi nënkryetari i BDI-së, Bujar Osmani.
 
VLEN-i ka paralajmëruar se do të marrë drejtimin e gjashtë ministrive, por pa bërë të ditur emrat. Do të udhëheqin me Ministrinë e Mjedisit Jetësor, Ministrinë e Ekonomisë, Ministrinë e Drejtësisë, Ministrinë për Integrime Evropiane, Ministrinë e Kulturës, si dhe Ministrinë për Marrëdhënie ndërmjet Bashkësive.
 
Edhe nga Lëvizja “E di” thanë se ende nuk është arritur një marrëveshje përfundimtare, por se me rikonstruimin ndikimi do të jetë më i madh. Ai theksoi se partia mbetet e gatshme të mbështesë politika që janë në interes të qytetarëve.
 
Nga LSDM vlerësuan se pushteti po përballet me konflikte serioze të brendshme. Sipas tyre, në vend që të merret me politika në interes të qytetarëve, po zhvillohet një betejë për pozita dhe ndikim, ndërsa problemet ekonomike dhe buxhetore po thellohen.
 
ARMEND MURSELI