Përfaqësuesja e Kanadasë është kualifikuar në të tetat e finales të Kampionatit Botëror, pasi në ndeshjen e parë të fazës me eliminim direkt, mposhti Afrikën e Jugut me rezultat 1:0. Heroi i fitores ishte Stephen Eustaquio, i cili shënoi golin e vetëm të ndeshjes në minutën e 92-të. Kanadaja pati një avantazh si vend organizator, pasi u vendos në vazon e parë gjatë shortit dhe kështu shmangu përballjen me kombëtaret më të forta në fazën e grupeve. Gjithashtu, këtë herë në Botëror kaluan nga grupet plot 32 përfaqësuese, falë zgjerimit të turneut në 48 ekipe, ndërsa në Botërorin e kaluar në Katar morën pjesë gjithsej 32 kombëtare. Ky është vetëm Botërori i tretë për Kanadanë dhe për herë të parë ajo ka kaluar fazën e grupeve. Tani ka kaluar edhe pengesën e parë në fazën me eliminim direkt.
Sot luhen dy ndeshje të tjera me eliminime
Sot është dita e 19-të e Kampionatit Botëror. Pas hapjes së fazës me eliminim direkt, sot zhvillohen edhe dy ndeshje të tjera. Programi nis me ndeshjen mes Brazilit dhe Japonisë, që fillon në orën 19:00 sipas kohës sonë lokale. Brazili konsiderohet një nga favoritët kryesorë për titullin, por Japonia tregoi në fazën e grupeve se mund të rivalizojë edhe me ekipet më të forta dhe do të kërkojë një tjetër surprizë të madhe.
Në orën 22:30 do të përballen Gjermania dhe Paraguaji. Gjermanët synojnë të justifikojnë rolin e favoritit, ndërsa Paraguaji, falë paraqitjeve të mira në grup, beson se mund të arrijë një tjetër rezultat të madh.
Mrekullia afrikane në botëror
Nëntë nga dhjetë kombëtaret afrikane kanë kaluar fazën e grupeve në Kampionatin Botëror. Më i suksesshmi ishte Maroku me shtatë pikë, ndërsa surpriza më e madhe ishte Kepi i Gjelbër, i cili në debutimin e tij u kualifikua pa humbje dhe u bë shteti me numrin më të vogël të banorëve që ka arritur ndonjëherë në fazën me eliminim direkt të një Botërori. Ata janë debutuesit e parë që arrijnë në fazën me eliminim direkt që nga Sllovakia në vitin 2010 dhe kombëtarja e parë debutuese që mbetet e pamposhtur në të tre ndeshjet e grupeve që nga Senegali në vitin 2002. (Gazetar: Safet Ademi)