Botë

Venezuelë, vazhdojnë kërkimet për të mbijetuar

29.06.2026 14:27

Ekipet e shpëtimit në Venezuelë vazhdojnë kërkimet për të mbijetuarit nën rrënoja...

Ekipet e shpëtimit në Venezuelë vazhdojnë kërkimet për të mbijetuarit nën rrënoja, edhe pse shpresat janë gjithnjë e më të vogla. Por, ende ka raste kur dëgjohen thirrje për ndihmë poshtë rrënojave. 
 
“Nuk kemi asnjë dyshim se aty ka një person të gjallë. Ajo po komunikon me ne dhe po kërkon ndihmë, por operacioni i shpëtimit mund të zgjasë edhe më shumë se 14 orë.”, - deklaroi Vagner Leiva nga Kryqi i Kuq i Kosta Rikës. 
 
Ende ka mungesë të makinerive të nevojshme për të hequr rrënojat, për të mësuar fatin e mijëra personave të zhdukur, prandaj vazhdojnë të mbërrijnë ekipe shtesë ndërkombëtare të shpëtimit. Familjarët po gërmojnë me të gjitha mjetet në dispozicion me shpresë për gjetjen e të afërmit e tyre të zhdukur.
 
“Asnjëherë nuk e kemi humbur shpresën. Vazhdojmë të gërmojmë nën rrënoja. Po komunikojmë me tre persona që ndodhen poshtë. Nuk e di nëse ka edhe të tjerë, por trupat e të afërmve tanë nuk janë gjetur ende, prandaj vazhdojmë të shpresojmë se janë gjallë.”, - theksoi i afërmi i një të zhdukuri nga tërmeti, Xhejson Markano. 
 
Tërmeti katastrofal ka thelluar më tej pasojat e krizës së gjatë ekonomike dhe politike, veçanërisht mbi sistemin shëndetësor që tashmë është mbingarkuar. Gjendjen e vështirësojnë edhe më shumë se 12 mijë persona, të cilët janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.
 
“Numri i delegacioneve ndërkombëtare është rritur. Kanë mbërritur 2.624 shpëtimtarë të huaj, 137 qen kërkimi, 49 automjete ndihmëse dhe 84.4 tonë pajisje, ilaçe dhe materiale kirurgjikale.”, - u shpreh kryetari i Asamblesë Kombëtare, Horhe Rodrigez.
 
“Për momentin njerëzit kanë nevojë për kujdes mjekësor, mbështetje dhe inkurajim. Edhe pse shumica e pacientëve janë në gjendje stabile, kemi raste të hiperglikemisë dhe hipertensionit të rëndë për shkak të mungesës së barnave.”, - theksoi mjekja, Luri Salas.
 
Të paktën 1,450 persona janë konfirmuar se kanë vdekur, por numri pritet të rritet pasi rreth 46 mijë persona llogariten të zhdukur.
 
GYLTENE SINANI