Eurointegrimi, Ministri lituanez: Momenti ekziston, vendimin e sillni ju

29.06.2026 15:30

Zgjerimi i BE-së diktohet nga gjeopolitika e re dhe për këtë arsye duhet të lëvizet përpara...

Zgjerimi i BE-së diktohet nga gjeopolitika e re dhe për këtë arsye duhet të lëvizet përpara, ndërkaq ky shans duhet të shfrytëzohet nga aspirantët, përcolli në Shkup ministri i Jashtëm i Lituanisë, Kestutis Budris. Duke folur për vendin tonë, ripërsëriti kushtet e vitit 2022 që duhet të plotësohen, ndërkaq shtoi se liderët dhe populli e bëjnë zgjedhjen sa i përket avancimit të procesint eurointegrues. Edhe diplomati lituanez shtoi se BE-ja për askënd nuk mund të japë garanci për ecurinë e ardhme politike.
 
“Koha është tani. Kjo është këshilla ime, në veçanti kur bëhet fjalë për sigurinë e rajonit. Për këtë duhet të lëvizim përpara. Kuptoj se ka gjëra që  duhet të rishikohen ndoshta. Nuk mund të paraqesim kërkesa maksimale dhe të presim t’i realizoni nëse ne realisht duam të zgjerimi të ndodhë. Po ashtu jam i vetëdijshëm për pengesat që qëndrojnë para vendeve të ndryshme kandidate. A ka ndonjë afat ligjor? kjo varet prej jush. Askush nuk ju bën presion në vendimet tuaja sovrane dhe nacionale. Varet nga ju, nga liderët tuaj, nga populli për ta bërë zgjedhjen. Vendimi i vitit 2022 është bërë me konsensus prej 26 vendeve.”, - deklaroi ministri i Jashtëm i Lituanisë, Kestutis Budris.
 
Mucunski: Integrimi mbetet prioritet, por duam garanci
 
Ministri i Jashtëm, Mucunski, sërish me qëndrim se eurointegrimi duhet të jetë i parashikueshëm, duke ripotencuar edhe garancitë se një shtet anëtar nuk do të jetë bllokues permanent i procesit integrues të RMV-së. Integrimi të jetë në baza meritore dhe jo në baza të kritereve subjektive bilaterale, shprehet Mucunski.
 
“Ne diskutojmë atë për çfarë sigurish apo garancish mund të marrë shteti ynë, quani si të doni termin, se nuk do të ballafaqohemi me bllokada permanente nga një vend anëtar, sepse ajo që dihet edhe në raport me të ashtuquajturën “konsensus i vitit 2022” ka interpretime të ndryshme që vjen nga 26 vende anëtare dhe institucionet evropiane dhe nga një vend anëtar…. Ne themi, po e ndjejmë këtë moment, sidomos pas Tivatit ndjehet një energji për lëvizjen e rajonit dhe s’ka asnjë dilemë tek ne, por ne nuk do të lejojmë që të realizohet ai rrezik që ne t’i bëjmë  vendimet e tilla dhe sërish të kemi bisedime të këtilla ku do të jemi në situatë që një vend anëtar të na bllokojë.”, - theksoi ministri i Jashtëm, Timço Mucunski.
 
Dy bashkëbiseduesit kanë shfrytëzuar momentin për të shkëmbyer mendime edhe për çështjet aktuale nga rajoni dhe bota, pa anashkaluar edhe bisedën për sigurinë evropiane, ruajtjen e paqes dhe stabilitetin në kontinentin evropian e më gjerë.
 
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU