KFB miraton ndryshimet për kontributet sociale, LSDM akuzon për mungesë fondesh në FP
Ndryshimet në ligjin për kontributet për sigurim të detyrueshëm social...

Ndryshimet në ligjin për kontributet për sigurim të detyrueshëm social kalojnë filtrin e komisionit për financa dhe buxhet. Që të përmirësohet gjendja financiare në Fondin për Sigurim Pensional dhe Invalidor të vendit deputetë nga shumica propozuan rishpërndarje të përkohshme të kontributeve për sigurim të detyrueshëm social.
Një pjesë e mjeteve për sigurim në rast të papunësisë të shpërndahen në Fondin Pensional.
“Në vend që hapat e propozuara të kontributeve të zbatohen nga muaji qershor 2026, propozohet që zbatimi i tyre të fillojë nga muaji korrik 2026. Vendimet e tjera të propozuara mbeten të pandryshuara. Ligji nuk shkakton detyrime financiare për buxhetin.”, - deklaroi Biljana Kuzmanovska nga VMRO-DPMNE.
Ndërkohë LSDM akuzon Qeverinë e udhëhequr nga Hristijan Mickoski se po e shkatërron në mënyrë sistematike sistemin pensional në Maqedoninë e Veriut, duke paralajmëruar se mungesa e mjeteve financiare rrezikon pagesën e pensioneve dhe funksionimin e shtyllës së dytë pensionale.
“Hendeku në Fondin Pensional po thellohet dhe ka arritur në pothuajse 40%. Ky është rezultat i politikave të këqija të VMRO-së dhe provë e qartë se Qeveria nuk ka zgjidhje për të siguruar stabilitetin afatgjatë të sistemit të pensioneve. Deklarata e guvernatorit Trajko Slaveski, se deri në 80% të pensionistëve të ardhshëm që do të dalin në pension në periudhën 2030 - 2032 nuk do të jenë në gjendje të sigurojnë asnjë pension minimal, është një konfirmim i situatës katastrofike në sistemin e pensioneve. Në vend të reformave serioze dhe stabilizimit, Qeveria ka ndërmarrë një hap edhe më të rrezikshëm - po vë në pikëpyetje edhe shtyllën e dytë të pensioneve.”, - theksoi Natasha Popoviq nga LSDM.
Kontributet për sigurim pensional dhe invalidor duhet të rritet nga 18.8% në 19.9%. (Nermin Mulaki Fejzullahu, TVM2)
