Rezultati i zgjedhjeve në Kosovë, Haxhiu dhe Kryeziu dorëzuan ankesë në PZAP
Dy kandidatët për deputetë nga Partia Demokratike e Kosovës...

Dy kandidatët për deputetë nga Partia Demokratike e Kosovës kanë dorëzuar ankesë në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa lidhur me rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve të 7 qershorit të shpallur nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ).
Bekim Haxhiu kandidat për deputetë nga PDK-ja tha se ky rezultat është i pasaktë dhe si i tillë nuk duhet pranuar, prandaj kërkon rinumërim.
“Sot bashkë me kandidatin për deputet, Qëndrim Kryeziu, kemi dorëzuar ankesën në PZAP, në rezultatin përfundimtar të publikuar nga KQZ-ja, për arsye se rezultati i publikuar dhe përfundimtar është i pasaktë, i paverifikuar, tani më i pranuar dhe i evidentuar në dy fakte esenciale të konfirmuar nga rinumërimi i 5.201 votave të PDK-së, ku janë evidentuar 221 vota të regjistruara në regjistrimin fillestar gabimisht. Mua si kandidat në këtë rinumërim m’u shtuan 6 vota dhe ankesa është e bazuar dhe rezultati nuk mund të certifikohet si i pasaktë, ai duhet të jetë i saktë, ligji e garanton që rezultati përfundimtar dhe i certifikuar duhet të jetë i saktë.”, - deklaroi kandidati për deputet nga PDK, Bekim Haxhiu.
Sipas Haxhiut, janë dy fakte dhe dy argumente kryesore pse duhet shkuar në rinumërim.
Një, rinumërimi i një mostre të vogël prej 3.5% të votave të PDK-së që ka evidentuar gabim në numërimin fillestar në Qendrën e Numërimit, që në fakt është rezultat preliminar dhe nuk mund të bëhet rezultat përfundimtar pa u verifikuar, tha haxhiu. Dhe e dyta, në mbledhjen numër 69 të KQZ-së, kryesuesi Kreshnik Radoniqi e pranoi faktin që rezultati përfundimtar është i pasaktë, ai e cilësoi si gabime minimale e njerëzore, por në fakt ky gabim është 4.25% për votat preferenciale të kandidatëve të PDK-së dhe si i tillë ligji nuk e lejon që të certifikohet një rezultat me gabime. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve më 27 qershor ka shpallur rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të mbajtura më 7 qershorit, në të cilat Lëvizja Vetëvendosje, më 47.13%, ka fituar 53 ulëse, Partia Demokratike e Kosovës më 19.44%, ka fituar 22 ulëse, Lidhja Demokratike e Kosovës më 16.69% ka fituar 18 ulëse, dhe Aleanca më 6.74% ka fituar shtatë ulëse.
Pas shqyrtimit të ankesave pritet certifikimi i rezultatit, që i hap rrugë konstituimit të Kuvendit, zgjedhjes së Qeverisë dhe presidentit të ri të Kosovës. (Gyltene Sinani, TVM2)
