Maqedoni
Ademi për emrat e shkollave: presim momentin e përshtatshëm t’i ndryshojmë
12.06.2015 14:18
Ministri i Arsimit, Abdylaqim Ademi, thotë se ndryshimi i emrave edhe i dy shkollave të tjera në Çair do të bëhet shpejt...

Gjithsesi, sipas Ademit, vendimet në Ministrinë e Arsimit kanë ndikim jo vetëm në arsim, por edhe në sfera të tjera të jetës. Kjo është arsyeja që këto vendime merren me kujdes dhe në momente kur nuk ka reagime negative as nga të punësuarit, por as nga faktorë të tjerë në Republikën e Maqedonisë.
“Ashtu si u morr vendimi për dy shkollat e mëhershme, ashtu do të merret vendimi edhe për dy shkollat e tjera dhe shpresoj që çështja kryesore e procesit mësimor në RM në të ardhmen të mos jenë emrat e shkollave, por të jetë thelbi, që është cilësia e arsimit”- deklaroi ministri i Arsimit dhe Shkencës, Abdylaqim Ademi.
Për sa i përket përgjegjësisë për pyetjet në testimin ekstern, ku u vërejt edhe një qasje ofenduese për shqiptarët, Ademi dha këtë përgjigje:"Nuk duhet veçanërisht mediat dhe opinioni të udhëhiqen dhe të shkëpusin vetëm një nga 300 mijë pyetjet e testimit ekstern. Ka pasur edhe pyetje siç i karakterizoni ju “ofenduese” edhe për pjesëtarë të bashkësive të tjera etnike. Nuk besoj që përpiluesit e pyetjeve kanë pasur për qëllim ofendimin ose të ngjallin ndjenjën e urrejtjes ndaj një bashkësie etnike”.
Ministri Ademi thotë se gjithsesi pas përfundimit të tërësishëm të vlerësimit të testimit ekstern, por edhe të maturës shtetërore, sektorët në Ministrinë e Arsimit do të analizojnë çdo segment të procesit të testimit ekstern, edhe pyetjet në këtë rast, e më pas do të dilet me një qëndrim përfundimtar.
NERMIN MULAKI-FEJZULLAHU
