Botë
Trampi njofton bisedime në Doha, Teherani i mohon
30.06.2026 10:40
Trump ka folur me optimizëm të kujdesshëm për kontaktet që pritet të zhvillohen në Doha të Katarit lidhur me programin bërthamor të Iranit...

Presidenti i ShBA-së, Donald Tramp, foli me kujdes, por me optimizëm në lidhje me kontaktet që priten të zhvillohen në Doha mbi programin bërthamor të Iranit. Ndërsa Uashingtoni flet për bisedimet e planifikuara, Teherani këmbëngul se nuk ka takim në nivel negociator në ditët në vijim.
Fillimisht nëpërmjet një postimi në platformën Truth Social dhe më pas duke folur me gazetarët në Shtëpinë e Bardhë, Donald Tramp iu referua kontakteve që, siç tha ai, do të zhvillohen në Doha të Katarit. “Do të ketë një takim në Doha. Ata do të shkojnë në Katar, mendoj se janë larguar tashmë ose po përgatiten të largohen. Do të shohim si do të shkojë.”, tha ai. Presidenti amerikan i përshkroi bisedimet si “ndoshta të rëndësishme, ndoshta jo”, duke lënë të hapur mundësinë e rezultatit të tyre. Trampi pretendoi se Shtetet e Bashkuara kanë bërë përparim të konsiderueshëm në përpjekjet për të denuklearizuar Iranin.
“Do të thoja se është fituar pothuajse ushtarakisht.”, tha ai, duke shtuar se qëllimi kryesor i Uashingtonit mbetet që Teherani të mos pajiset kurrë me armë bërthamore. Nga ana e tij, Irani vazhdon të pohojë se nuk është planifikuar asnjë takim negociues me Shtetet e Bashkuara në asnjë nivel në ditët në vijim. Teherani thekson se përparësia e tij mbetet zbatimi i dispozitave të memorandumit të mirëkuptimit dhe jo hapja e negociatave për një marrëveshje përfundimtare. Divergjenca e qëndrimeve publike nga Uashingtoni dhe Teherani krijon pasiguri sa i përket përmbajtjes dhe natyrës së kontakteve që priten të zhvillohen në Katar.
