Botë

Vala e të nxehtit thyen rekorde në Evropën Lindore

30.06.2026 12:21

Vala e të nxehtit në Evropë ka vendosur rekorde të reja temperaturash në lindje të kontinentit...

Vala e të nxehtit në Evropë ka vendosur rekorde të reja temperaturash në lindje të kontinentit, duke e detyruar Ukrainën të vendosë ndërprerje të energjisë elektrike, pasi sistemi ishte i mbingarkuar. Vala e të nxehtit, e cila goditi për herë të parë Evropën Perëndimore javën e kaluar, ka thyer tashmë rekorde në Poloni, Republikën Çeke dhe Gjermani në ditët e fundit, ndërsa lëviz drejt lindjes.

Instituti Hidrometeorologjik Sllovak njoftoi se një rekord i ri temperature prej 41 gradë Celsius u mat të hënën në qytetin Turnya nad Bodvou në juglindje të vendit. Në Azod në Hungarinë qendrore, temperatura u rrit në 41.8 gradë Celsius, pak më poshtë rekordit absolut kombëtar prej 41.9 gradë Celsius të regjistruar në vitin 2007. Kryeministri hungarez Peter Magiar u tha gazetarëve se Qeveria po i inkurajonte nëpunësit civilë të punonin nga shtëpia sa herë që të ishte e mundur. Ai u kërkoi shërbimeve publike të përshtateshin me punën në natyrë dhe u bëri thirrje restoranteve të shpërndanin ujë të pijshëm, ndërsa hapësirat publike me ajër të kondicionuar duhet të mbeten të hapura për publikun. 
 
Të paktën 130 milionë njerëz në Evropë vlerësohet se janë ekspozuar ndaj temperaturave mbi 35 gradë Celsius, nga 190 milionë të dielën, sipas një analize të AFP-së të të dhënave të parashikimit. Grupi shkencor “World Weather Attribution” tha se ishte vala më intensive e nxehtësisë e regjistruar ndonjëherë në Evropë dhe do të kishte qenë “pothuajse e pamundur” kaq herët në verë pa efektet e ndryshimeve klimatike.