Maqedoni
Kumanovë, u përurua objekti i rikonstruuar i ambulancës
30.06.2026 13:50
Në “Lagjen e Trimave” në Kumanovë u bë përurimi i rikonstruimit të tërësishëm të katit përdhesë i Ambulancës “Tode Mendoll”....

Në “Lagjen e Trimave” në Kumanovë, gjatë paradites së të martës, në prani të qytetarëve, si dhe me prezencë të Ministrit të Shëndetësisë, Azir Aliu, e mysafirëve të shumtë, u bë përurimi i rikonstruimit të tërësishëm të katit përdhesë i Ambulancës “Tode Mendoll”.
Ambulanca në fjalë u rikonstruua e tëra, duke filluar me lyerjen dhe izolimin e mureve, ndërrimi i dyerve, dritareve e dyshemesë, instalimi elektrik, rregullimi i parkingut, si dhe mobilimi i saj. Tani e tutje kjo ambulancë e modernizuar do të shërbejë për vaksinimin e shkollarëve, atyre filloristë dhe të shkollës së mesme.
“Siç po e shihni, kemi restauruar katin përdhes të objektit në sipërfaqe prej 250m2. Kjo hapësirë është dedikuar për vaksinimin shkollor, ku do të vaksinohen të gjithë nxënësit nga klasa e parë deri në mbarimin e shkollës së mesme. Ky investim ka arritur vlerën deri në 5 milionë denarë. Përveç kësaj kemi rregulluar edhe parkingun e objektit që kapi vlerën e 1 milion denarëve.”, - theksoi drejtori i IShP “Shtëpia e Shëndetit”, Kumanovë, Sedat Zulbeari.
“Një institucion si ky për imunizim të të rinjëve është shumë i rëndësishëm për shkak se logjika e shëndetësisë nuk është vetëm të shërosh, por edhe të prevenosh, një nga format është edhe imunizimi, kështu që është kënaqësi e madhe fëmijët dhe të rinjtë të vijnë këtu në një hapësirë e cila është dinjitoze, e cila lë për të dëshiruar edhe për institucionet tjera shumë më të mëdhaja se sa kjo. Kjo tregon se me punë dhe përkushtim të drejtorit mund të bëhet nga një institucion i cili ke mundur të xhirosh filma horror, që ishte infrastruktura brenda, në një institucion me një infrastrukturë, e cila është jashtëzakonisht innovative, kreative dhe të rinjtë më shumë ndjehen këtu si në shkollë dhe çerdhe se sa si një institucion shëndetësor.”, - u shpreh ministri i Shëndetësisë, Azir Aliu.
Ndryshe, të gjitha këto investime u realizuan falë ndihmës finaciare nga buxheti i Fondit të Sigurimit Shëndetësor të RMV-së.
FATLUM AQIFI
