Maqedoni
Miratohen ndryshimet për sigurinë në komunikacion, ndalohet përdorimi i monopatinave elektrike nën 18 vjeç
30.06.2026 14:59
Me procedurë të shkurtuar dhe me votim të dyfishtë, Kuvendi votoi ndryshimet në ligjin për sigurinë në komunikacionin rrugor...

Me procedurë të shkurtuar dhe me votim të dyfishtë, Kuvendi votoi ndryshimet në ligjin për sigurinë në komunikacionin rrugor. Këto ndryshime konkretisht kanë të bëjnë me rregullimin e monopatinave dhe pjesëmarrjen e tyre në komunikacion. Me këtë ligj, ndër tjerash, termi “monopatinë elektrike” zëvendësohet me termin, “mjet i lehtë elektrik”. Po ashtu rregullohet afati për parashtrimin e kërkesës për lëshimin e licencës.
“Konkludoj që Kuvendi miratoi ligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për siguri të komunikacionit dhe rrugëve.”, - theksoi nënkryetari i Parlamentit, Antonio Milloshovski.
Mes tjerash, ligji bën ndërhyrje thelbësore lidhur me shpejtësinë e lejuar me të cilën lëvizin mjetet e lehta elektrike, gjegjësisht parashihet shpejtësi maksimale prej 20 km/h, në pajtim me rekomandimet e Bashkimit Evropian në pjesën e rregullimit të komunikacionit për këtë lloj të mjeteve. Me qëllim të zvogëlimit të kundërvajtjeve të konstatuara të kryera me monopatina elektrike, parashihet edhe ashpërsimi i kushteve nën të cilat mund të drejtohet ky lloj i mjetit, pra, rritet kufiri i moshës, gjegjësisht duhet moshë minimale prej 18 vjetësh për drejtimin e këtyre mjeteve dhe ashpërsohet politika ndëshkuese për kryerësit e kundërvajtjeve të parapara në ligj, ndërsa në raste konkrete, përveç gjobës së shqiptuar, parashihet edhe konfiskimi i mjetit, në rast të drejtimit nga shofer i mitur, tejkalimi i shpejtësisë së lejuar, bartja e personit tjetër apo drejtimi nën ndikimin e alkoolit.
Përveç shumës së përcaktuar të gjobës, mjeti do të konfiskohet përkohësisht në kohëzgjatje prej 30 ditësh. Procesverbali për kundërvajtje të kryer në komunikacion me urdhërpagesë për kundërvajtje me gjobë në shumë prej 275 euro në kundërvlerë në denarë do t’i shqiptohet drejtuesit, i cili vepron në kundërshtim me dispozitat e paragrafit (1) të nenit 7, sqarohet në Ligjin për siguri në komunikacion, sipas ndryshimeve të fundit.
NERMIN MULAKI FEJZULLAHU
