Maqedoni
Agjencia turke “Tika” financon rikonstruimin e tri xhamive në Shkup
12.06.2015 15:19
Me financim të Agjencisë turke për Koordinim dhe Bashkëpunim, “Tika”, do të bëhet rekonstruimi dhe restaurimi i tri xhamive në Shkup...

Me financim të Agjencisë turke për Koordinim dhe Bashkëpunim, “Tika”, do të bëhet rekonstruimi dhe restaurimi i tri xhamive në Shkup, përkatësisht dy në Komunën e Çairit dhe një në Komunën e Sarajit.
Për këtë qëllim u nënshkrua edhe memorandum-bashkëpunimi mes Agjencisë “Tika” dhe Qendrës Konservatore për Ruajtjen e Trashëgimisë Kulturore në Maqedoni.
Pas nënshkrimit të memorandumit u bë e ditur se prej sot fillon projektimi i detajuar i projekteve të rikonstruimit dhe pas këtij procesi fillon rikonstruimi paralel i xhamive.
“Memorandumi ka të bëjë me tre objekte konkrete, restaurimin dhe konservimin e xhamisë “Sulltan Murat”, xhaminë e “Isa Beut” dhe xhaminë “Hysein Sha” në Saraj”- deklaroi drejtori i Qendrës Nacionale Konservatore, Memet Selmani.
“Agjencia turke për Koordinim dhe Bashkëpunim “Tika” ka filluar që nga viti 2005 të veprojë në Maqedoni. Pra, kemi 10 vite që veprojmë këtu. Ne si “Tika” vazhdojmë të kemi bashkëpunim me donacione të ndryshme në Maqedoni. Deri tani shumë projekte kemi bërë si në Ohër, Kërçovë, Shkup dhe në shumë vende të tjera dhe të gjitha këto i kemi bërë në bashkëpunim. Ndërsa ky projekt që sot prezantuam pritet të përfundojë brenda dy viteve”- tha drejtori i Agjencisë “Tika”, Teoman Tirijaki.
Mbështetja e agjencisë “Tika” për projekte të ngjashme do të vazhdojë edhe në të ardhmen, premtuan nga kjo agjenci.
GYLTENE SINANI
