Ligji i Përfaqësimit të Drejtë, Ademi: S’duhet të kalojë

30.06.2026 15:36

Ademi theksoi se BDI-ja me kohë ka alarmuar për Ligjin e Përfaqësimit të Drejtë....

Sekretari i përgjithshëm i BDI-së, Arbër Ademi, theksoi se BDI-ja me kohë ka alarmuar për Ligjin e Përfaqësimit të Drejtë. Njëherësh ai thekson se ky propozim-ligj shkel rëndë Kushtetutën.
 
“Ne, me kohë e kemi thënë se ky Ligj (i Përfaqësimit të Drejtë) është i Karakamishevës, i cili tërësisht e minon amendamentin 6 të Kushtetutës, pra, përfaqësimin e drejtë dhe adekuat. Më mbani për fjalë, nëse miratohet (kurse ne do të bëjmë çmos që të mos sillet), nuk do të ndryshojë aspak gjendja nga gjendja pa ligj. Domethënë sot s’kemi ligj, s’kemi vota etnike…bile edhe nëse sillet, fare s’do të ndryshojë. Prandaj, maksimalisht do të bëjmë çdo përpjekje demokratike duke shfrytëzuar çdo mekanizëm demokratik në kuadër të Kuvendit Republikan, që të mos lejojmë që ky ligj i Karakamishevës dhe servilëve të saj, si Jeton Shasivari, të mos kalojë.”, - deklaroi Arbër Ademi nga BDI.
 
Mirëpo, VLEN-i pretendon të kundërtën. Sipas partisë shqiptare në pushtet, për herë të parë kjo çështje rregullohet me ligj.   
 
Pak ditë më parë, kryetari i Kuvendit, Afrim Gashi, nga radhët e VLEN-it, u bëri thirrje të gjithë deputetëve që të mbështesin Ligjin për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat. Sipas tij, ligji po paragjykohet para se të nisë zbatimi në praktikë dhe për këtë arsye duhet të miratohet, ndërsa më pas të vlerësohen efektet e tij. Gashi theksoi se nëse gjatë implementimit vërehen mangësi apo gabime në dispozita të caktuara, ato mund të korrigjohen përmes ndryshimeve ligjore.
 
VLORA LATIFI TOPOJANI