Maqedoni
Ndryshimi i kodit zgjedhor, VMRO: Opozita po dëmton vendin
30.06.2026 16:04
“Fillimisht e pranuan kërkesën tonë, ndërsa sot të njëjtit po e bllokojnë.”....

“Fillimisht e pranuan kërkesën tonë, ndërsa sot të njëjtit po e bllokojnë.”. Kjo është akuza që VMRO-DPMNE bëri ndaj LSDM-së dhe Të Majtës të cilat, sipas tyre, po veprojnë si koalicion për bllokimin e Kodit Zgjedhor. E këtë veprim zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Valentin Manasievski, e lidh me rejtingjet e ulëta, që, sipas pushtetit, kanë të dy partitë opozitare, të cilat tanimë i kanë vënë synim vetes t’i shkaktojnë dëm shtetit në zbatimin e Agjendës së Reformave, gjë që vë në pikëpyetje tërheqjen e mjeteve nga Plani i Rritjes i Bashkimit Evropian. Përkujtoi se Kodi Zgjedhor është pjesë e Agjendës së Reformave dhe se ai hartohet në përputhje me sugjerimet dhe vërejtjet e OSBE-së dhe ODIHR-it. Sipas tij, e vetmja kërkesë e VMRO-DPMNE-së ka qenë që diaspora maqedonase të ketë mundësi të votojë në zgjedhjet e ardhshme presidenciale, e ndërkohë ka pranuar të gjitha propozimet e tyre për ndryshimet në kodin zgjedhor që po negociohen tashmë disa muaj.
“Venko Filipçe dhe Dimitar Apasiev, me bllokimin e këtij ligji, duan t’i shkaktojnë drejtpërdrejt dëm Maqedonisë në përmbushjen e reformave nga Agjenda e Reformave, por edhe në tërheqjen e mjeteve nga Plani i Rritjes. Diaspora jonë ka të drejtë të marrë pjesë në mënyrë elektronike në zgjedhjet e ardhshme presidenciale, në një kohë kur inteligjenca artificiale ka rol kyç.”, - deklaroi zëdhënësi i VMRO-DPMNE-së, Valentin Manasievski.
LSDM dhe E Majta paralajmërojnë bllokimin
Por, opozita hedh poshtë pretendimet e pushtetit se është arritur konsensus. Lideri socialdemokrat, Venko Filipçe, këmbënguli një ditë më parë se një nga pikat më të debatueshme në këtë tekst është pikërisht votimi elektronik i diasporës, pa mekanizma të përcaktuar qartë për verifikimin e identitetit dhe pa garanci ligjore për sigurinë e procesit. Socialdemokratët thonë se me 10.000 amendamente do ta bllokojë miratimin e Kodit Zgjedhor.
BDI: Duhet konsensus politik dhe etnik
Arbër Ademi nga BDI thotë se ata ngelen në qëndrimin se për çfarëdo lloj ndryshimi të Kodit Zgjedhor është i nevojshëm konsensus etnik dhe politik.
“Për disa pika kyçe është arritur konsensus në kuadër të grupit të punës, p.sh. të mos përsëritet procesi i inxhinieringut në KShZ që u realizua në vitin 2024. Po ashtu edhe rreth afateve të procesit të ankimimit para Gjykatës Administrative, pra të gjitha propozimet janë pranuar përveç propozimit për një njësi zgjedhore me lista të hapura për deputet. Dhe për këtë s’kemi marrëveshje. Presim që partitë të reflektojnë dhe të gjejnë ndonjë gjuhë të përbashkët rreth gjithë këtij procesi, por sërish them, pavarësisht nëse BDI është në pozitë apo opozitë, ne e ndajmë të njëjtin mendim për sjelljen e Kodit Zgjedhor. Është e nevojshme të kemi konsensus politik dhe etnik.”, - theksoi Arbër Ademi nga BDI.
VMRO me sugjerim, “propozoni amendamente vetëm për korrigjimin e mënyrës së rrumbullakimit të votës dhe të paraqitjes së ankesave, ndërsa amendamentet e tjera tërhiqini, në mënyrë që ndryshimet të miratohen me konsensus”.
SANIJE DURAKU
