Ligji për Përfaqësim të Drejtë kalon në komision
Ka përfunduar shqyrtimi i Ligjit për Përfaqësim të Drejtë...

Ka përfunduar shqyrtimi i Ligjit për Përfaqësim të Drejtë dhe Adekuat në komisionin parlamentar, njofton zëvendëskryeministri i Parë dhe ministri për Çështje Evropiane, Bekim Sali. Sipas tij, gjatë procesit është vërejtur përpjekje për bllokim nga opozita shqiptare.
“Ky ligj buron drejtpërdrejt nga Marrëveshja Kornizë e Ohrit. Për herë të parë, 25 vjet pas nënshkrimit të saj, parimi i përfaqësimit të drejtë dhe adekuat po institucionalizohet me një zgjidhje të qartë ligjore.”, u shpreh Sali.
Ai u bëri thirrje të gjithë deputetëve që të mbështesin ligjin, duke theksuar se nuk bëhet fjalë për vendimmarrje partiake, por për zbatimin e një obligimi kushtetues dhe të Marrëveshjes së Ohrit.
Sipas tij, miratimi i ligjit është në interes të të gjithë qytetarëve dhe përfaqëson një hap të rëndësishëm në forcimin e barazisë dhe përfaqësimit të drejtë në institucione.
