Maqedoni

MASH ndan 65 mijë euro për Fakultetin e Shkencave Islame

12.06.2015 15:37

Ministria e Arsimit i jep ndihmë financiare në vlerë prej 65 mijë euro Fakultetit të Shkencave Islame...

Këtë e njoftoi ministri i Arsimit, Abdylaqim Ademi, gjatë vizitës së tij në këtë fakultet.
 
Ai theksoi se me akreditimin e Fakultetit të Shkencave Islame ky fakultet do të prodhojë teologë, por edhe kuadro që do të jenë të angazhuar edhe në procesin edukativo-arsimor. 
 
“Fakulteti i Shkencave Islame tani më është i regjistruar dhe i akredituar, ka edhe leje pune, dhe në këtë mënyrë ky fakultet prodhon kuadro, teologë të ardhshëm. Njoftova kryetarin e Bashkësisë Islame dhe dekanin edhe me financimin që tani më Ministria e Arsimit e ka lejuar për këtë fakultet. Kemi financuar me 65 mijë euro dhe ky financim ndodh për herë të parë për këtë institucion dhe shpresoj që do të jetë i përhershëm”- deklaroi ministri i Arsimit dhe Shkencës, Abdylaqim Ademi.
 
Kryetari i Bashkësisë Islame dhe dekani i fakultetit falënderuan ministrin Ademi, duke shpresuar se ky nuk do të jetë hap i fundit i bashkëpunimit ndërmjet këtyre dy institucioneve. 
 
“Sot biseduam me të nderuarin ministër dhe e lutëm që këtë hap që e ka bërë me akreditimin e përhershëm të këtij institucioni të vazhdojë me mundin dhe kontributin e vet pozitiv edhe në përfshirjen e shkollës së mesme, Medresesë ‘Isa Beu’”- theksoi kryetari i BFI-së, Sulejman Rexhepi.
 
“Ne jemi këtu për të dhënë kontributin tonë në kuadër të planit dhe programit të cilët i ka hartuar Fakulteti i Shkencave Islame dhe Ministria e Arsimit e ka akredituar me atë plan-program, kështu që ne shpresojmë në bashkëpunimin e mëtejshëm dhe Fakulteti i Shkencave Islame do të jetë besnik në atë çka ka marrë obligimet e veta për ta zhvilluar, për ta ngritur nivelin e cilësisë Së edukimit dhe arsimimit në këtë vatër”- tha dekani i Fakultetit të Shkencave Islame, Faredin Ebibi.
 
Fakulteti i Shkencave Islame i dhuroi edhe një mirënjohje ministrit, Abdylaqim Ademi, për kontributin e tij për këtë fakultet.
 
ERSAN PAJAZITI