Kurti takon Supertin, pret përgjigje pozitive nga BE-ja

30.06.2026 18:20

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti...

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka takuar drejtoren për Zgjerim dhe Fqinjësi të Bashkimit Evropian për Ballkanin Perëndimor, Valentina Superti.

“Vullnetit të popullit tonë për anëtarësim, BE-ja duhet t’i përgjigjet me vullnet të ndërsjellë për pranim. Statusi i vendit kandidat dhe hapja e negociatave, janë pikënisje e një procesi nga i cili Kosova forcon demokracinë dhe zhvillohet edhe më shumë”, - ka shkruar Kurti në Facebook.

Sipas tij, Kosova është lider rajonal në sundimin e ligjit, luftën kundër korrupsionit, të drejtat politike e liritë civile, si dhe në indekset e zgjedhjeve dhe demokracive liberale.

“Krahas linjëzimit të plotë me politikën e jashtme dhe të sigurisë me BE-në, si dhe përparimit në përmbushjen e reformave evropiane, ne kemi shënuar rritje të vazhdueshme ekonomike dhe për herë të parë pas 15 vitesh, Banka Botërore dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar na kanë larguar nga listat e vendeve të brishta dhe të ndikuara nga konfliktet.”, - ka shkruar Kurti.