Vazhdimi i negociatave ShBA – Iran, ShBA-ja dhe Teherani me informata të ndryshme

30.06.2026 19:05

Pas sulmeve ushtarake të ditëve të kaluara...

Pas sulmeve ushtarake të ditëve të kaluara duket se është vështirësuar edhe vazhdimi i negociatave mes negociatorëve iranianë dhe amerikanë.

Për takimin e paralajmëruar në Doha, në kuadër të bisedimeve teknike me ndërmjetësimin e Pakistanit dhe Katarit, presidenti amerikan Tramp tha se ai do të mbahet dhe se ai është kërkuar nga Irani.

Por, autoritetet iraniane mohojnë gatishmërinë për takim. Presidenti amerikan Tramp e ka vënë theksin sërish te qëndrimi amerikan se Irani nuk duhet të ketë armë nukleare.

“Po ecim shumë mirë në atë front. Por, takimi në Doha mund të jetë i rëndësishëm, ose mund të mos jetë. Do ta zbulojmë. Sigurisht që po fitojmë ushtarakisht. Në të vërtetë është shumë e thjeshtë. Bëhet fjalë për denuklearizimin e Iranit. Ne nuk duam që ata të kenë armë bërthamore dhe ata nuk do të kenë, sepse janë pajtuar me këtë.”, - deklaroi presidenti i ShBA-së, Donald Tramp.

Ministria e Jashtme e Iranit pranoi se një ekip teknik iranian do të udhëtojë këtë javë në Doha, por mohoi se ata do të takohen me zyrtarë amerikanë që do të jenë në Katar. Raundi i ri i bisedimeve teknike do të zhvillohet vetëm pasi të krijohen kushtet e nevojshme dhe të arrihet marrëveshje për datën dhe vendin e takimit, kanë thënë nga Ministria e Jashtme iraniane.

Ministri i Jashtëm gjerman: BE-ja duhet të ketë rol në formësimin e marrëveshjes

Ndërkohë Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, gjatë vizitës së tij në Uashington, tha se vendet evropiane duhet të luajnë një rol vendimtar në formësimin e çdo marrëveshjeje të ardhshme me Teheranin.

“Duhet të jetë e qartë se kjo është një mundësi për diplomacinë në një situatë që mbetet e brishtë në tërësi. Sepse, pavarësisht armëpushimit të dakorduar, Irani duket se është i gatshëm ta përshkallëzojë situatën sipas dëshirës së tij. Marko Rubio dhe unë ramë dakord gjithashtu për rëndësinë jetike të mbajtjes së hapur, në afat të gjatë, të Ngushticës së Hormuzit. Duke pasur parasysh sanksionet ekzistuese ndaj Iranit, ne evropianët, në fund duhet të luajmë një rol vendimtar në tablonë e përgjithshme të zgjidhjes së ardhshme.”, - u shpreh ministri i Jashtëm i Gjermanisë.

Gjatë fundjavës, Irani sulmoi anije tregtare në Ngushticën e Hormuzit, Johan Vadeful, duke nxitur forcat amerikane të godasin radarë bregdetarë dhe objekte ushtarake iraniane, me arsyetimin se po mbronin lundrimin tregtar.

Por, Irani fajësoi ShBA-në për mosrespektim të marrëveshjes, qoftë sa u përket kushteve të transportit në Ngushticën e Hormuzit, ashtu edhe me mosndërprerjen e sulmeve izraelite në Liban. (Gyltene Sinani, TVM2)