Maqedoni

Vazhdon gjykimi ndaj gjykatësit Ristov

01.07.2026 09:21

Ristov akuzohet për fshehje të qëllimshme të gjendjes pasurore dhe për pastrim parash....

Në Gjykatën Penale sot vazhdon gjykimi ndaj gjykatësit të Apelit, Gjoko Ristov, i cili akuzohet për fshehje të qëllimshme të gjendjes pasurore dhe për pastrim parash. I akuzuari është deklaruar se nuk ndihet fajtor.

Sipas Prokurorisë, gjykatësi Ristov ka ndërmarrë me vetëdije veprime në kundërshtim me përgjegjësinë që i ngarkon funksioni i tij gjyqësor. Ai dyshohet se ka përfituar në mënyrë të kundërligjshme dhe nuk ka deklaruar pasuri në vlerë prej 450 pagash mesatare, përkatësisht rreth 350 mijë euro. Mbrojtja, nga ana tjetër, e cilëson të gjithë rastin si një “skenar hollivudian”, duke pretenduar se përdoret një narrativë emocionale për të nxitur opinionin publik.
 
Në seancën e kaluar, Prokuroria e nisi procedurën e paraqitjes së provave kundër gjykatësit Ristov. Në sallën e gjyqit u shfaq një video nga kontrolli i kryer në shtëpinë e tij familjare në Negotinë, ku prokurorët gjetën 350 mijë euro të fshehura pas pllakave të kuzhinës.
 
Mbrojtja kërkoi praninë e ekspertit që ka përgatitur raportet për gjurmët biologjike dhe materialin provues, duke pretenduar se provat janë kontaminuar dhe se këtë do ta dëshmojnë gjatë procesit gjyqësor.