Maqedoni

Ujësjellësi i Shkupit, tre projekte të reja me lehtësime për shfrytëzuesit

12.06.2015 15:53

Ndërmarrja Publike e Ujësjellësit sot ka promovuar 3 projekte të reja, me të cilat pretendohet realizimi i kërkesave të shfrytëzuesve...

Bëhet fjalë për projektet “Inkasatori im”, “Paguaj shpejtë faturat” dhe “Dërgimi i gjendjes së orëmatësve të ujit”.
 
Drejtori i Ndërmarrjes Publike të Ujësjellësit, Aleksander Atanasov, theksoi se me projektin “Inkasatori im” qytetarët vetë do të mund ta zgjedhin inkasatorin që do ta lexojë orëmatësin. 
 
“Bëhet fjalë për një sistem që është i integruar në ueb faqen tonë dhe qytetarët nëpërmjet këtij programi do të mund menjëherë nga shtëpia të thërrasin inkasatorin. Inkasatori në ueb faqe do të ketë emrin dhe mbiemrin dhe numrin e telefonit. Shërbimi do të jetë falas. Ky projekt ka filluar pas ankesave nga ana e qytetarëve se ka ndodhur që një kohë të gjatë inkasatori të mos e lexojë orëmatësin  për arsye se askush nuk ka qenë në shtëpi e të ngjashme, e më pas arrijnë llogari të larta për shfrytëzuesit”- deklaroi drejtori i NP të  Ujësjellësit, Aleksander Atanasov.
 
Ndërsa me opsionin “dërgimi i gjendjes së orëmatësit”, qytetarët do të munden vetë në formë elektronike t’i dërgojnë të dhënat për ujin e harxhuar.
 
Ndërsa me projektin “Paguaj shpejtë”, qytetarët do t’i shmangen pritjes së gjatë para sporteleve.
 
Për këtë qëllim do të vendosen 12 terminale për të paguar faturat. Terminalet do të vendosen në disa lokacione në tërë qytetin, ndërsa në të ardhmen do të vendosen gjithsej 30 terminale.  
 
REJHANE BUSHI-METAJ