Maqedoni

Megjashi: jo të gjithë fëmijët gëzojnë të drejtën e arsimit

12.06.2015 16:10

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare Kundër Keqtrajtimit të Fëmijëve, Ambasada e Fëmijëve, Megjashi...

Me rastin e Ditës Ndërkombëtare Kundër  Keqtrajtimit të  Fëmijëve, Ambasada e Fëmijëve, Megjashi, në raportin e përgatitur në bashkëpunim me organizatat joqeveritare theksoi problemet e shkollimit të fëmijëve me nevoja të veçanta dhe kyçjen e fëmijëve romë në procesin e përgjithshëm arsimor.
 
Qytetarëve u mungon vetëdijesimi kur bëhet fjalë  për edukimin e fëmijëve dhe si pasojë e kësaj shoqëria më vonë ballafaqohet me dukuri negative, thuhet në raport.
 
“Ajo që duam të theksojmë se jo për të gjithë fëmijët në Maqedoni është e garantuar e drejta e arsimimit. Kemi shumë vështirësi, sidomos kur bëhet fjalë për arsimimin e fëmijëve romë, për shkak të mungesës së dokumenteve adekuate të cilëve u mungon definimi nga Enti Statistikor, nuk kanë certifikatë të lindjes nga prindërit, ndërsa sipas nesh këta fëmijë keqpërdoren për tregti dhe për gjëra tjera të jashtëligjshme”- deklaroi drejtori ekzekutiv në Ambasadën e parë të Fëmijëve, Megjashi, Dragi Zmijanac.
 
“Hulumtimi është realizuar në 20 komuna, ku kemi përfshirë 71 shkolla dhe institucione. Këtë proces e kemi ndjekur për të kuptuar për së afërmi se si ka qenë rrjedha e arsimimit të fëmijëve sidomos të komunitetit rom” - tha koordinatorja e projektit PDAS-Megjashi, Jana Zengovska.
 
“Angazhimi ynë në këtë raport ishte pikërisht njohja e tre elementeve apo indikacioneve të cilat e diktojnë këtë të drejtë. Pra, fillimisht u munduam ta njohim strukturën apo numrin e fëmijëve për arsimim, mandej iniciativat që i marrin shkollat për ta bërë më të mirë qëndrimin në këtë shkollë dhe së fundmi cilat janë iniciativat që i ndërmerr pushteti lokal”- theksoi udhëheqësja e qendrave, Radmilla Stojkovska.
 
Përpilimi i raportit u mbështet edhe nga UNICEF-i, nëpërmjet  projektit “Ndërtimi i kapaciteteve të organizatave joqeveritare dhe monitorimi i të drejtave të fëmijëve”.
 
VLORA LATIFI-TOPOJANI