Maqedoni

Grinkeviq: RMV-ja jep kontribut të jashtëzakonshëm në NATO

01.07.2026 14:07

Maqedonia e Veriut ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm dhe është dëshmuar si një partner i besueshëm i NATO-s....

Maqedonia e Veriut ka dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm dhe është dëshmuar si një partner i besueshëm i NATO-s. Këtë e theksoi gjatë vizitës në Kazermën "Ilinden" në Shkup, komandanti i Forcave të NATO-s për Evropë, gjenerali Aleksus G. Grinkeviq, i cili e vlerësoi angazhimin e Armatës së Maqedonisë së Veriut në misionet e aleancës si KFOR në Kosovë, apo përforcimin e krahut lindor në Bullgari, Rumani dhe Letoni.
 
"Ju jeni pjesë e një aleance të madhe, aleancës ushtarake më të fuqishme në histori. Maqedonia e Veriut është një partner jashtëzakonisht i vlefshëm, me rezultate të shkëlqyera brenda kësaj aleance. Kontributi juaj në planet rajonale, në forcat tokësore dhe në misionin e KFOR-it është vërtet i jashtëzakonshëm dhe shkon krah për krah me përkushtimin tuaj për modernizimin dhe përmbushjen e objektivave të kapaciteteve ushtarake. Sot dua t'u drejtohem veçanërisht ushtarëve dhe operatorëve që qëndrojnë këtu para nesh. Jam vërtet shumë krenar që qëndroj pranë jush, sepse ju përfaqësoni më të mirën që vendi juaj ka për të ofruar.", - deklaroi gjeneral, komandant i forcave aleate të NATO-s, Aleksus G. Grinkeviq.
 
Lafçinski: Po forcojmë kapacitetet ushtarake
 
Shef i Shtatmadhorisë së Armatës së Maqedonisë së Veriut, Sashko Lafçinski, bëri të ditur se investimet do të përqendrohen në forcimin e kapaciteteve ushtarake, zhvillimin e poligonit Krivollak dhe infrastrukturën e Korridoreve 8 dhe 10, me rëndësi strategjike për Aleancën.
 
"Pjesëmarrja në stërvitjet e përbashkëta me aleatët është një proces prioritar dhe i vazhdueshëm. Kjo përbën një kontribut të rëndësishëm në forcimin e sigurisë rajonale, në avancimin e kapaciteteve për pranimin dhe mbështetjen e forcave aleate, si dhe në zbatimin praktik të planeve rajonale të NATO-s.", - theksoi shefi i Shtatmadhorisë së Armatës, Sashko Lafçinski.
 
Gjenerali Aleksus G. Grinkeviq komandon forcat aleate të NATO-s në Evropë dhe mbikëqyr mbi 80 për qind të ushtarëve tanë të angazhuar në kuadër të Aleancës. 
 
REXHEP QAMILI