Botë
Vazhdojnë bisedimet ShBA – Iran, delegacionet takohen vetëm me ndërmjetësit
01.07.2026 14:20
Delegacionet e ShBA-së dhe Iranit vazhdojnë negociatat në Doha...

Delegacionet e ShBA-së dhe Iranit vazhdojnë negociatat në Doha, por pa takime direkte, pasi pala iraniane pranon vetëm takime me ndërmjetësit nga Katari. Po ashtu Teherani insiston të mos kalohet në fazën tjetër derisa të finalizohen pesë klauzolat kyçe, që kanë të bëjnë me zbatimin e marrëveshjes, çështjet rajonale përfshi paqen në Liban, Ngushticën e Hormuzit dhe asetet e ngrira iraniane.
“Tani jemi në fazën e zbatimit të asaj që është dakorduar. Derisa të zbatohen plotësisht pesë dispozitat e para, përfshirë edhe ato që kanë të bëjnë me Libanin, nuk do të kalojmë në fazën tjetër të marrëveshjes.”, - deklaroi negociatori kryesor i delegacionit iranian, Mohamad Bagher Ghalibaf.
“Sa i përket përmbajtjes së bisedimeve, ato janë ashtu siç do të prisnit. Kemi drejtim për energjinë bërthamore, për ekonominë dhe për Ngushticën e Hormuzit, si dhe për sigurinë rajonale. Po diskutohet për gjithçka që duhet të dakordohet në atë nivel teknik.”, - theksoi zëdhënësi i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Katarit, Majed al Ansari.
Nënpresidenti amerikan Vens, tha se Uashingtoni do ta gjykojë Teheranin nga sjelljet e jo nga retorika e tij, duke theksuar se qëllimi i negociatave është të përcaktohet nëse Irani është i gatshëm të bëjë lëshime domethënëse.
“Një pjesë e asaj që po përpiqemi të bëjmë në këto negociata është të shohim se sa seriozë janë në të vërtetë. Për të qenë seriozë, nuk mjafton vetëm që të thonë gjërat e duhura. Ata duhet të bëjnë lëshime të vërteta. Nuk na intereson shumë ajo që thonë iranianët. Nëse iranianët nuk sillen mirë, nëse nuk bëjnë lëshime në negociata që ne duam t’i shohim, programi i tyre bërthamor veçse është i shkatërruar, ushtria konvencionale e tyre është e shkatërruar dhe ShBA-ja është në një pozitë shumë më të fuqishme se iranianët. Ne i kemi të gjitha letrat në negociata. Ne sigurisht që duam që ato të jenë të suksesshme, por edhe nëse ndodh e kundërta, ne e kemi përmbushur misionin tonë parësor, që është të sigurohemi që iranianët kurrë nuk do të kenë armë bërthamore.”, - u shpreh nënpresidenti i ShBA-së, Xhej Di Vens.
Ndërkohë mediat ndërkombëtare kanë mjaftuar se presidenti amerikan Tramp po shqyrton edhe opsionet ushtarake kundër Iranit, por për momentin favorizon diplomacinë dhe vazhdimin e negociatave indirekte me ndërmjetësimin e Katarit. Nga ana tjetër shtetet e Gjirit Persik kanë nisur një raund bisedimesh të drejtpërdrejta me Iranin dhe, në mënyrë indirekte, edhe mes tyre, për të përcaktuar një kornizë të re të bashkëjetesës rajonale pas luftës. Sipas diplomatëve dhe ekspertëve të cituar nga mediat ndërkombëtare kjo mund të çojë drejt një mirëkuptimi rajonal pa ndërhyrjen e ShBA-së.
Takimet e para janë zhvilluar mes Iranit dhe Omanit, Omanit dhe Katarit, Iranit dhe Arabisë Saudite, e më pas mes Katarit dhe Riadit, duke u fokusuar në sigurinë rajonale, menaxhimin e Ngushticës së Hormuzit dhe stimujt e mundshëm financiarë që shtetet e Gjirit Persik mund t’ia ofrojnë Iranit në këmbim të lëshimeve në fushën e sigurisë. Këto bisedime po zhvillohen paralelisht, por ndaras, nga negociatat mes Uashingtonit dhe Teheranit për një marrëveshje afatgjatë paqeje, me afat deri në fund të muajit gusht.
GYLTENE SINANI
