Maqedoni
Aeroporti i Shkupit pajiset me skaner të ri të sigurisë
01.07.2026 14:33
Aeroporti i Shkupit ka lëshuar në përdorim skanerët e rinj të sigurisë...

Aeroporti i Shkupit i menaxhuar nga Kompania TAV, ka lëshuar në përdorim skanerët e rinj të sigurisë, respektivisht dy tomografitë kompjuterike, në vlerë prej rreth një milion euro. Sipas drejtorit gjeneral të TAV-it, me këtë investim Aeroporti i Shkupit është i vetmi në Ballkan, i cili posedon këto pajisje, me çka në masë të madhe rritet siguria e udhëtarëve dhe përshpejtohet mënyra e kontrollimeve të bagazheve.
“Sot do të prezantojmë dy pajisje për tomografi kompjuterike me të cilat kontrollohet bagazhi juaj dhe është unikat i këtij lloji në vendet e Ballkanit. Me këtë teknologji, TAV-i e pozicionon aeroportin e Shkupit krah për krah me qendrat më të mëdha evropiane, siç është Frankfurti, Cyrihu dhe në disa aeroporte në ShBA, Indi dhe Izrael, me të cilën dëshmohet se siguria e udhëtarëve është në rend të parë. Po ashtu kemi investuar edhe në kapacitetet e aeroportit dhe përgatitjen dhe profesionalizimin e punonjësve.”, - deklaroi drejtori gjeneral i TAV-it, Nexhat Kurt.
Zëvendësministrja e Transportit, Kaltrina Zekolli, thotë se Qeveria është e fokusuar në zhvillimin e aeroporteve dhe vetëm për 2 vite janë mundësuar 28 linja të reja ajrore.
“Ky investim i ri kap vlerën e diku rreth 1 milion eurove dhe Aeroporti i Shkupit po bëhet lider në rajon. Ne si Qeveri kemi një bashkëpunim të shkëlqyeshëm me TAV-in dhe të njëjtit deri më tani kanë realizuar në aeroportin e Shkupit donacion në vlerë të përgjithshme me rreth 50 milionë euro, ndërsa 97 projekte janë në fazën e realizimit. Si Ministri e Transportit dhe si Qeveri gjatë këtyre 2 viteve kemi lëshuar në përdorim 28 linja të reja të fluturimit. Qëllimi ynë është që Aeroporti i Shkupit, por edhe ai i Ohrit të jenë liderë në Ballkan.”, - theksoi zëvendësministrja e Transportit, Kaltrina Zekolli.
Drejtuesit e aeroportit dhe përfaqësuesit e Qeverisë u zotuan se investimet në Aeroportin e Shkupit dhe atë të Ohrit do të vazhdojnë dhe parashihen të realizohen edhe qindra projekte në të ardhmen, me të vetmin qëllim, që Aeroporti i Shkupit të jetë lider në rajon.
FITIM KRYEZIU
