Maqedoni
Tabanoc, u promovua fushata "Vozit i pushuar"
01.07.2026 14:54
Në pikën kufitare më të frekuentuar në Tabanoc u promovua fushata edukative "Vozit i pushuar"...

Në fillim të sezonit veror turistik kur në të gjitha pikat kufitare në vend si për hyrje ashtu edhe për dalje, vërehen kolona të gjata automjetesh të udhëtarëve që udhëtojnë në destinacione të ndryshme. Për këtë arsye në pikën kufitare më të frekuentuar në Tabanoc u promovua fushata edukative "Vozit i pushuar", me të cilën vozitësve u rekomandohet pushim sa më i shpeshtë gjatë udhëtimeve të gjata. Pjesë e kampanjës ishin ministrat e punëve të brendshme të RMV-së dhe Republikës së Serbisë, Pançe Toshkovski dhe Ivica Daçiq, të cilët në mënyrë direkte u kyçën në sensibilizimin e kësaj fushate.
"Të gjithë ata që gjatë këtyre ditëve të ngrohta kanë marr rrugë të gjata u rekomandojmë që të ndalojnë dhe të pushojnë së paku nga 15 minuta në çdo 2 orë, të konsumojnë sa më tepër ujë në pjesët më të ngrohta të ditës, t’i respektojnë shenjat e komunikacionit, sidomos ato për kufizimin e shpejtësisë. Shi për këtë qëllim mendoj se është një fushatë shumë domethënëse dhe e rëndësishme. Jeta e njeriut nuk ka çmim dhe shpëtimi i çdo jete është mjaft i rëndësishëm për të gjithë ne.", - deklaroi ministri i Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski.
"Ky është vetëm një lloj bashkëpunimi në sferën e komunikacionit. Me një aktivitet të këtillë të përbashkët kemi filluar para disa vitesh që të sigurojmë kalim të sigurt dhe të qetë për qytetarët për çka edhe kemi sjellë dhe nënshkruar marrëveshje për modernizimin e pikëkalimit kufitar dhe bashkërisht kemi vendosur një kontroll të vetëm të përbashkët kufitar. Në këtë pikë kufitare brenda ditës kalojnë mbi 20 mijë pasagjerë.", - theksoi ministri i Punëve të Brendshme, i Serbisë, Ivica Daçiq.
Edhe sivjet fushata "Vozit i pushuar" ka për qëllim sigurinë në komunikacion dhe shmangien e aksidenteve të ndryshme, madje edhe me fatalitet.
FATLUM AQIFI
