Maqedoni
Tetovë, interesim i madh për grantet e vetëpunësimit
01.07.2026 15:15
Interesimi për 2045 grantet e vetëpunësimit vazhdon të jetë shumë i madh....

Interesimi për 2045 grantet e vetëpunësimit vazhdon të jetë shumë i madh. Vetëm gjatë javës së kaluar në Agjencinë për Punësim kanë aplikuar mbi 2.800 persona, ndërsa rreth 500 vetëm në Tetovë. Ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi, i cili ndoqi nga afër sot procesin e aplikimit ne Agjenci për Punësim në Tetovë tha se po monitorohen radhët e gjata të qytetarëve dhe se, nëse interesi mbetet i lartë, do të shqyrtohet edhe mundësia e shtyrjes së afatit.
"Pashë nga afër qytetarët që presin për të aplikuar. Interesimi për këto masa të vetëpunësimit është tepër i madh. Vetëm javën e kaluar janë regjistruar mbi 2.800 aplikime dhe me këtë ritëm po vazhdohet edhe këtë javë. Në koordinim me Agjencinë për Punësim kemi biseduar që t'u krijohen kushte të gjithë qytetarëve për të aplikuar.", - deklaroi ministri i Ekonomisë dhe Punës, Besar Durmishi.
Për të shmangur pritjet dhe grumbullimet, Agjencia për Punësim në Tetovë ka rritur numrin e sporteleve dhe të zyrtarëve që pranojnë aplikimet.
"Sistemi i aplikimit këtë vit është pak më ndryshe për shkak të rregulloreve të reja. Radhë ka pasur gjithmonë, por qytetarët po respektojnë rendin dhe procesi po zhvillohet mirë. Prej sot kemi rritur kapacitetet me më shumë të punësuar, në mënyrë që gjithçka të ecë sa më mirë.", - theksoi udhëheqësi i Njësisë Rajonale në Tetovë, Nehat Osmani.
Pavarësisht ndryshimeve në procedurë, autoritetet sigurojnë se askush nuk do të mbetet pa dorëzuar dokumentacionin. Ndërsa afati i fundit për t’i dorëzuar dokumentet është 3 korriku.
VISAR SADIKI
