Maqedoni

Dështojnë bisedimet për Kodin Zgjedhor, Mickoski: Pranojmë gjithçka, përpos diasporës

01.07.2026 15:33

Dështojnë përpjekjet midis grupeve të punës për dakordim rreth Kodit të ri Zgjedhor....

Dështojnë përpjekjet midis grupeve të punës për dakordim rreth Kodit të ri Zgjedhor. Kontestuese ishte votimi elektronik i diasporës, për të cilën nuk heq dorë VMRO – DPMNE-ja, ndërkohë i kundërshtuar nga socialdemokratët, të cilët kanë paralajmëruar edhe amendamente. Partia e Mickoskit në Kuvend druan se Kodi Zgjedhor do të mbetet në formatin e vjetër. Megjithatë kryeministri Hristijan Mickoski me mesazh opozitës se do të pranojnë gjithçka përpos diasporës. 
 
“Përpos pjesës me diasporën na thoni gjithçka që duhet, ne do të pranojmë, nuk e kemi problem, pasi që ne vlerësojmë se diaspora jonë duhet të realizojë të drejtën e saj nëpërmjet rrugës elektronike, pasi që nga dikush nga Australia do të duhet të udhëtojë dhjetë orë me aeroplan dhe po aq për t’u kthyer, vetëm për të realizuar të drejtën e votës. Kjo nuk është e drejtë për ata që janë në listën zgjedhore dhe kanë pasaportë maqedonase.”, - deklaroi kryeministri, Hristijan Mickoski. 
 
Mickoski: Pas përfundimit të mandatit do të kthehem në universitet
 
Mickoski njëherësh tha se e siguron opozitën se me mundësinë që disapora të votojë në formë elektronike, nuk ka për qëllim të sigurojë vota për vete, sepse me përfundimin e mandatit si kryeministër në vitin 2029 nuk do të synojë të rizgjidhet si kryeministër apo të marrë postin e presidentit.
 
“Ja, t’ua lehtësoj, sepse e shoh se në opinion spekulojnë se kam propozuar diaspora të përfshihet në votim, që është e natyrshme, në formë elektronike nga zgjedhjet e ardhshme presidenciale të vitit 2029, kinse unë do të kandidohem, prandaj këtë e kam propozuar. Ja t’ua lehtësoj, nuk do të kandidohem, kur të më përfundojë mandati si kryeministër, do të kthehem në fakultet te studentët. Ua lehtësoj, mos të shqetësohen, nuk do të kandidohem për president e as për kryeministër. Nuk kam as ambicie, as dëshirë.”, - theksoi  kryeministri, Hristijan Mickoski.
 
Votimi elektronik i diasporës, Filipçe: S’ka garanci për votim transparent
 
Por, kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe, sqaron përse kundërshtojnë votimin elektronik të diasporës. Sipas tij, kjo formë nuk mund të realizohet me kontroll të plotë dhe transparencë, madje duke u thirrur edhe në vendimet e shteteve evropiane, sikurse Franca që ka tërhequr një metodologji të tillë të votimit. Filipçe druan për keqpërdorime dhe hakerim të sistemit elektronik.
 
“Nuk ekziston mekanizëm, e as amendament me të cilin kjo formë e propozuar e votimit të diasporës mund të jetë plotësisht i sigurt. Përse të bëhet diçka që nuk mund të kontrollohet. Si do të mund të kontrollojmë nëse nesër në një sistem plotësisht të sigurt të sistemit elektronik kështu siç e propozon VMRO – DPMNE, nesër sistemi, ose ditën e votimit sistemi mund të thyhet. A do të bien zgjedhjet? Kush do ta garantojë rezultatin? Unë po ju përcjell përvoja nga shtete të tjera.”, - theksoi kryetari i LSDM-së, Venko Filipçe.
 
Ndryshimet në Kodin Zgjedhor do të duhej të vlejnë nga zgjedhjet e ardhshme presidenciale të vitit 2029, madje edhe ishin kërkesë e BE-së si pjesë e reformave. LSDM-ja ka paralajmëruar se do të dorëzojë 10 mijë amendamente, ndërkaq Lëvizja E Majta 3 mijë. Amendamente do të dorëzojë edhe PLD-ja. 
 
MERAL ISMAILI