Maqedoni

Takohen akademikët e Ballkanit, shkenca t’i prijë politikës në tejkalimin e krizave

12.06.2015 16:40

Këshilli Ndërakademik i Akademive të Evropës Juglindore miratoi deklaratë të përbashkët në Shkup mbi rëndësinë e zhvillimit të shkencës, kulturës dhe arsimit në Ballkan...

Disa nga akademikët theksuan se zhvillimi i shkencës mund t’i prijë politikës në tejkalimin e shumë krizave të Ballkanit, e më konkretisht edhe Maqedonisë.
 
“Ngulim këmbë që akademitë të prijnë në bashkëpunimin midis vendeve të ndryshme, sepse në kuadër të këtij bashkëpunimi ndërakademik mund të zgjidhen ose mund të propozohen zgjidhje të cilat po kanë vështirësi në fushat e tjera në hapësirat e tjera”- deklaroi përfaqësuesi i AShA të Kosovës, Rexhep Ismaili.
 
“Ne shumë mirë e dimë se shkenca është rruga e cila duhet ta kryesojë politikën dhe kjo nxit nevojën e bashkëpunimit të akademive tona. Ne ndajmë të njëjtën hapësirë dhe jemi të detyruar që bashkërisht të zgjidhim problemet”- tha kryetari i AShA të Malit të Zi, Momir Gjuroviç.
 
“Në këto troje me shekuj janë krijuar histori të përbashkëta. Ne nuk kemi çfarë ndajmë apo kontestojmë, por duhet të punojmë së bashku”- theksoi përfaqësuesi i AShA të Bullgarisë, Stefan Vodeniçarev.
 
“Jemi këtu për krijimin e një klime të besimit, tolerancës, dialogut dhe miqësisë midis popujve tanë, një diplomaci shkencore. Ky do të duhej të ishte edhe roli i akademive kundrejt politikës, e cila shpeshherë merr kahje të tjera”– u shpreh kryetari i AShA, Vllado Kambovski.
 
Por, kishte edhe të mendimit se ndikimi i madh i faktorit të jashtëm minimizon kontributin e akademive mbi zhvillimet politike.
 
“Problem i madh i vendeve të Ballkanit dhe akademive të tyre është ndikimi i madh i faktorit të jashtëm dhe është e vështirë dhënia e kontributit tonë në këtë drejtim, mundësitë tona janë të pakta”- tha kryetari i AShA të Republikës serbe, Rajko Kuzmanoviç.
 
Ndërsa për përfaqësuesin, Vasil Tole, nga Shqipëria, akademitë gjenden edhe përpara një sfide tjetër, asaj të mbështetjes së procesit të integrimit evropian të vendeve të Ballkanit Perëndimor.
 
“Nuk mund të ketë zhvillim vetëm në sferat ekonomike, politike pa zhvillimin shkencor dhe besoj që institucionet tona do të jenë në gjendje që jo vetëm të ndërtojnë një partneritet strategjik, në këtë rast për integrimin, por edhe t’i shërbejnë me eksperiencën e tyre rritjes së mirëqenies së vendeve tona”- theksoi përfaqësuesi nga AShA të Shqipërisë, Vasil Tole.
 
Këshilli Ndërakademik i Akademive të Evropës Juglindore është formuar në vitin 2001 me iniciativë të Komisionit Evropian.
 
11 anëtarët e tij gjatë mbledhjes së sotme unifikuan qëndrimet për takimin e radhës në Gjermani, ku do të prezantohen projekte për një ardhmëri të përbashkët të Ballkanit.
 
MERAL ISMAILI