Rikonstruimi i Qeverisë, Kryeministri zbulon emrat e mnistrave të rinj
Kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski...

Kryeministri i vendit, Hristijan Mickoski, ka publikuar emrat e ministrave që do të jenë pjesë e rikonstruimit të Qeverisë.
Sipas tij, VMRO-DPMNE do të drejtojë Ministrinë e Politikës Sociale me Gjoko Velkovskin, Ministrinë e Shëndetësisë me Sasho Klekovskin, Ministrinë e Vetëqeverisjes Lokale me Ivan Stoilkoviqin, si dhe postin e ministrit pa portofol për integrimin dhe zbatimin e Strategjisë për Përfshirjen e Romëve, të cilin do ta mbajë Erxhan Demir.
Ndërkaq, VLEN do të propozojë ministrat e rinj për Drejtësinë, Kulturën dhe Turizmin, si dhe Marrëdhëniet Ndërmjet Bashkësive, ndërsa “E DI” kandidatin për Ministrinë e Bujqësisë.
Kryeministri njoftoi gjithashtu se resori për Qeverisje të Mirë do të shfuqizohet.
“VMRO-DPMNE, gjatë vazhdimit të funksionimit të kësaj qeverie, do të vazhdojë të drejtojë Ministrinë e Politikës Sociale, Demografisë dhe Rinisë. Ministër i ri në këtë dikaster do të jetë zëvendësministri aktual, Gjoko Velkovski. VMRO-DPMNE do të udhëheqë gjithashtu edhe Ministrinë e Shëndetësisë, ku ministër i ri do të emërohet Sasho Klekovski, drejtori aktual i Fondit për Sigurim Shëndetësor. Në vend të tij, në krye të Fondit për Sigurim Shëndetësor do të vijë ministri aktual i Vetëqeverisjes Lokale, Zlatko Perinski, ndërsa ministër i ri i Vetëqeverisjes Lokale do të emërohet Ivan Stoilkoviq. Ministër pa portofol, i ngarkuar me integrimin dhe zbatimin e Strategjisë për Përfshirjen e Romëve, do të jetë Erxhan Demir. Nga partia politike VLEN, ministra të rinj do të emërohen në Ministrinë e Drejtësisë, Ministrinë e Kulturës dhe Turizmit, si dhe në Ministrinë për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive. Ndërkohë, partia politike “E DI”, do të propozojë kandidatin e saj për Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ekonomisë së Ujërave. Dua të theksoj gjithashtu. se resori i deritanishëm për Qeverisje të Mirë, përkatësisht posti i zëvendëskryeministrit për Qeverisje të Mirë, shfuqizohet. Kompetencat për këtë fushë do të kalojnë drejtpërdrejt nën juridiksionin e kabinetit të kryeministrit.” – tha Kryeministri i RMV-së, Hristijan Mickoski.
